Parada ushtarake e Serbisë shihet si kërcënim për paqen në Ballkan
Agjencia Amerikane AP ka bërë të ditur se Serbia ka mbajtur sot paradë ushtarake.
Kjo agjenci vlerëson se kjo është një shfaqje e forcës tash kur tensionet me Kosovën janë rritur.
Në këtë paradë ushtarake kanë marrë pjesë 4 000 trupa të armatosur, 300 automjete e 40 aeroplan, duke përfshirë dy helikopter luftarakë rus me një ekuipazh rus, që tregon aleancën politike dhe ushtarake në rritje me Moskën, transmeton Indeksonline.

AP shkruan se tensionet janë rritur në Rajon, pasi Serbia dhe Kosova ende nuk kanë arritur pajtim që nga pas lufta.
Agjencia amerikane vlerëson se çdo ndërhyrje ushtarake nga Serbia në Kosovë do të shkaktonte një konflikt të drejtpërdrejtë me paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO të vendosur në Kosovë.
Për mbajtjen e paradës ushtarake serbe ka reaguar edhe deputeti Avdullah Hoti. Ai përmes një postimi në facebook ka thënë se kjo paraqet kërcenim për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Sipas tij, me këto sjellje politike, Serbia nuk ka synim as dialogun e as hyrjen në BE, por përafrimin me Rusinë.
“Serbia nuk e ka kontrollin demokratik të ushtrisë as nga ana e NATO-s dhe as nga BE, sepse nuk është pjesë e tyre. Ajo vazhdon të bashkëpunoj ngushtë me Rusinë. Me këto sjellje politike dhe parada ushtarake, Serbia duket se nuk e ka synim as dialogun me Kosovën, e as hyrjen në BE. Përkundrazi, ajo po përafrohet çdo ditë e më shumë me Rusinë. Dhe kjo duhet të merret seriozisht nga shqiptarët në Ballkan, nga BE dhe partnerët tanë në NATO”, ka shkruar Hoti./Indeksonline/