Pacolli: Mentaliteti i Millosheviçit është ende i gjallë në Beograd, të reagojnë ndërkombëtarët
Zëvendës kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj paradës ushtarake të Serbisë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Serbia mbetet kërcënim për stabilitetin rajonal.
Pacolli ka kërkuar që ndërkombëtarët të reagojnë lidhur me këtë paradë.

“Serbia duhet të sillet si një vend i civilizuar dhe të përqendrohet në bashkëpunimin rajonal dhe në evropianizimin e saj. Me parada ushtarake mesazhi i vetëm që i dërgon botës është se Serbia mbetet një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe mentaliteti i Millosheviçit është ende i gjallë në Beograd. Ne kërkojmë reagim ndërkombëtar kundër kësaj sjelljeje të Serbisë, një ditë pas Ditës së Evropë”, ka shkruar Pacolli.
Gjatë ditës Agjencia Amerikane AP ka raportuar se në paradën ushtarake të Serbisë janë kanë marrë pjesë 4 000 trupa të armatosur, 300 automjete e 40 aeroplan, duke përfshirë dy helikopter luftarakë rus me një ekuipazh rus, që tregon aleancën politike dhe ushtarake në rritje me Moskën, transmeton Indeksonline.
