Vojvoda: S’ka rëndësi renditja e kundërshtarëve, ne shkojmë për të fituar
Mërgim Vojvoda ka thënë se Kosovës nuk i intereson se në çfarë pozite renditen në FIFA kundërshtarët e saj, sepse synimi i verdhekaltërve është gjithmonë të futen në ndeshje për të fituar, para ndeshjes kualifikuese për Kampionat Evropian kundër Malit të Zi të premten.
“Nuk duhet ta shikojmë ku ndodhen ata e ku ne në renditje e FIFA-s, por duhet të luajmë për t’i marrë tri pikë. Njëjtë vlen edhe kundër Anglisë që është brenda top 10-shës, duhet të luajmë në çdo ndeshje pa frikë. 11 lojtarë janë ata, 11 jemi ne. Faktin që do të luhet ndeshja pa tifozë nuk e di ta vlerësoj keq apo mirë për ne. Normalisht çdo futbollist ka dëshirë të luaj në një stadium me shikues, por ndoshta malazezët do ta ndjejnë më shumë mungesën e shikuesve”, ka thënë Vojvoda.
Ai është pyetur edhe për transferimin te skuadra e tij e re Standard Liege, për të cilin tha se ndihet i lumtur për vendimin e marrë, pasi është njëri ndër klubet më të mëdha në Belgjikë krahas Anderlechtit.