16:47 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019 / indeksADMonline

Donald Tusk: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë gjithçka për negociatat

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka deklaruar sot se Bashkimi Evropian duhet hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por paralajmëroi gjithashtu se ky vendim nuk do të merret së shpejti.

Në takimin e zhvilluar në Bruksel me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, Tusk tha se ka vetëm një vendim për t’u marrë: “të hapen negociatat në linjë me rekomandimin e Komisionit Evropian.”

Sipas Tusk, dy shtetet ballkanike kanë bërë “gjithçka që pritej” për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian transmeton tchanel.

Gjithsesi, kreu i Këshillit theksoi se “jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatitura për të ndërmarrë vendimin për hapjen e negociatave në ditët në vijim.”

Komisioni Evropian ka rekomanduar sërish hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin, por disa vende skeptike si Franca, Holanda dhe Danimarka thonë se kërkojnë më shumë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.