Ky është personi që dyshohet se u vetëvra në qeli, akuzohej për vrasjen e gruas në SHBA
Binak Gjergjaj dyshohet se është vetëvrarë në Qendrën e paraburgimit në Pejë, ku po qëndronte prej 3 muajsh prej kur është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjergjaj pritej të ekstradohej në Amerikë, pasi që dyshohej se kishte vrarë dhe zhdukur gruan e tij.
Ajo ishte zhdukur më 26 shkurt të 2001, pasi ishte takuar me Binak Gjergjajn në Auburn Hills të Miçiganit për të diskutuar një çështje të kujdestarisë që përfshinte fëmijët e çiftit.
Gjatë hetimit, siç kishin raportuar mediet amerikane, Binak Gjergjaj, gjithashtu ishte zhdukur. Hetuesit amerikanë kanë thënë se ai kishte shkuar në Kosovë. Makina e Gjergjajt ishte gjetur në natën e 27 shkurtit 2001 në vendparkimin e kinemasë së Auburn Hillsit.
Telefoni e Afërdita Gjergjajt, çanta dhe disa fatura ishin në makinën e ish-bashkëshortit të saj, me të cilën ishte divorcuar dy vjet para se të ndërronte jetë.
Gjergjaj u gjet sot i vdekur në qelin e tij në Qendrën e paraburgimit, në Pejë.
Lajmin për vdekjen e tij për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Në Qendrën e paraburgimit, në Pejë, një i paraburgosur dyshohet se është vetëvarur. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. Viktima ka qenë nën masën e paraburgimit, lidhur me kërkesën për ekstradim në SHBA”, i ka thënë Nikçi Insajderit