Afro 100 persona janë arrestuar në vitin 2019 për shkak se sulmuan prindërit e tyre
Një fenomen mjaft i përhapur në Kosovë vazhdon të jetë dhuna në familje.
Dhunë në familje konsiderohet çdo shkelje e të drejtës së gruas, burrit dhe fëmijëve nga persona që janë pjesëtarë të familjes.
Mirëpo së fundi, fenomen i përhapur në vend së paku duke u bazuar nga raportimet e Policisë së Kosovës, janë dhuna në familje ku, fëmijët kanë sulmuar prindërit.
Pothuajse çdo javë është ndonjë rast i raportuar, ku fëmija ka sulmuar prindin, shkruan Indeksonline.
Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës, lidhur me këtë çështje ku sipas policisë, vetëm përgjatë gjashtë mujorit të vitit 2019 janë 162 raste të dhunës në familje, pra ku fëmija ka sulmuar prindin.
“Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 janë gjithsej 162 raste të tillë”, thonë autoritetet e rendit.
Ndërkaq, numri i personave të arrestuar lidhur më këtë çështje, është dukshëm më i madh se sa ai i vitit të kaluar. Gjatë këtij viti janë arrestuar 98 persona ndërsa, vitin e kaluar 11 prej tyre.
Kurse, raste të tilla vitin e kaluar kanë qenë 199 gjithsej.
Ndryshe, Policia e Kosovës tregon se në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 janë raportuar gjithsej 785 raste të dhunës në familje, ku pesë raste kanë përfunduar me vrasje./Indeksonline/