MPJ-ja ofron numrin emergjent për kosovarët, që mund të kenë pësuar nga tërmeti
Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës është duke përcjell me shumë shqetësim lajmet që po vijnë nga Shqipëria, pas termetit të rëndë, i cili goditi të martën në mëngjes Durrësin me rrethinë.
Zëvëndeskryeministri i Republikës së Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, në detyrë, Behgjet Pacolli, është në kontakt të vazhdueshëm me homologun e tij, Gent Cakaj, dhe autoritetet e tjera shqiptare.
Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave që la pas tërmeti i sotëm dhe njëherësh uron që të gjithë të lënduarit të shërohen sa më shpejtë.
Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë i janë përgjigjur nevojës për të ndihmuar autoritetet shqiptare, ndërsa shtetasit kosovarë që ndodhen në Shqipëri dhe mund të kenë pësuar nga termeti, sugjerohen të kërkojnë ndihmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Tiranë. (Numri emergjent: +355 68 241 5291)