Ronaldo e nis në avantazh me Ibrën, sot luajnë duelin e 12-të

Miq kurrë, por as armiq nuk mund t’i quash, duke qenë se edhe shtegtimi i tyre ka qenë mjaft i madh, edhe pse dy pika të vetme që mund t’i bashkojnë janë egoja e tyre, por edhe fakti që në karrierë kanë veshur që të dy fanellat e Manchester United dhe atë të Juventusit.
Zlatan Ibrahimoviç dhe Cristiano Ronaldo, ndonëse i kanë lënë pas tashmë të 35-at (suedezi është 38 e gjysmë), janë akoma në formë madhështore dhe pavarësisht se në ringun e “San Siro”-s do të zbresin Milani dhe Juventusi, është e pashmangshme që dueli të profilizohet sidomos te këta dy kampionë absolutë, të cilët nëse nuk do të kishte qenë për përplasjen në Kupën e Italisë, do të ishin ndeshur vetëm më 11 prill, për Serinë A. Ndërsa sipari i duelit të sotëm ka nisur që të ngrihet edhe pritshmëritë sa vijnë e shtohen, ashtu sikurse emocionet e një rivaliteti që pritet të jetë i fortë në fushë, edhe pse portugezi i Juventusit, ndonëse është thumbuar shumë herë më shumë nga suedezi i Milanit, e nis në avantazh duelin e sotëm. Sfidat direkte, nëse bëjmë një xhiro mes statistikave, ato nënvizojnë se Zlatan Ibrahimoviç dhe Cristiano Ronaldo do të kthehen të përballen mes tyre pas diçkaje më shumë se 4 vitesh.

Përplasja e fundit ka ndodhur më 3 nëntor 2015, në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, Real Madrid – PSG 1-0, një 90-minutësh në të cilin askush prej tyre nuk la shenjë në ndeshje, por goditje dhe kundërgoditje kanë ditur që t’i japin në të kaluarën më të hershme. Kjo e sotmja mes të dyve do të jetë sfida e 12-të në karrierë, por CR7 ka një avantazh të theksuar ndaj Ibrës, me 5 fitore, 5 takime kanë përfunduar në barazim dhe vetëm 1 sukses për milanistin (Ibra vuloste klasiken e vitit 2009, kur luante për Barcelonën, kur goli i tij mjaftoi të mundte Realin e Ronaldos).
Në këto 11 takime mes tyre, përpara telekamerave ka përfunduar më së shumti sulmuesi aktual i Juventusit, me festimet e tij, pas 6 golave të realizuar, ndërsa bomberi i Milanit ka realizuar 3 gola. Këta dy fenomene absolute, në duelet e tyre direkte kanë vënë në skenë një ndër ndeshjet ndoshta më të bukura të mijëvjeçarit të ri, e cila do të mbahet mend gjatë: më 19 nëntor 2013 luhej sfida e kthimit e “play off”-it, e cila do të dhuronte biletën për në Botërorin “Brazil 2014”, një 90- minutësh ku Zlatani realizoi një dopietë fantastike, por Ronaldo shkoi edhe më tej, duke festuar një tripletë të cilat vendosën rezultatin 3-2 final dhe la pa Kupë Bote suedezin. Gjithsesi, çdo ditë e re dhe çdo ndeshje është gjithmonë një histori më vete, prandaj pse jo, sot në mbrëmje, Ibra ka shansin e revanshit, ndërsa CR7 ka mundësinë që t’i japë një tjetër leksion gjigantit nga Malmo.