19:25 / E Enjte, 02 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

A do të jap dorëheqje Besnik Bislimi? Ky ishte zotimi i tij për Asociacionin!

Zëvendëskryeministri i Republikës, Besnik Bislimi e kishte quajtur të papranueshme krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë të realizuar kohë më parë, ai ishte zotuar se do të largohet nga dialogu në rast se themelohet Asociacioni, transmeton Indeksonline

“Në atë moment kur Qeveria e ndryshon qëndrimin për Asociacionin dhe thotë se “do të krijohet Asociacioni”, qoftë edhe me kompetenca jo ekzekutive, Besnik Bislimi nuk do të jetë në dialog”, kishte thënë ai.

Ndërkohë, sot kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ka dhënë gjashtë pika si kushte për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucional. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore. Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, këto janë kushtet për pranimin e Asociacionit:

Asociacioni i komunave i dalë në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:

Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)