21:26 / E Diele, 06 Maj 2018 / indeksADMonline

A duhet të thirren veteranët e zhytjes për kërkimin  e policit në Lepenc?

Edhe pas shtatë dite, pjesëtarët e FSK-së, Policisë dhe shumë qytetarë të tjerë po vazhdojnë kërkimet  për policin, Armend Trena i zhdukur në lumin Lepenc, përkatësisht në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.

Por, pavarësisht se në Kosovë ka zhytës  shumë profesional dhe me përvojë shumë vjeçare prapë institucionet përgjegjëse të vendit nuk e kanë parë të arsyeshme që t’iu bëjnë ftesë atyre, shkruan Indeksonline.

Pra, për disa veteranë të zhytjes të cilët  shkollimin e zhytjes e kanë kryer në qendrën sportive kroate ne Badi të bregdetit kroat me ekspert-profesor të njohur të zhytjes.

Të njëjtit është dashur të ftohen për të dhënë së paku udhëzime dhe instruksione profesionale për rastin.

Kësisoj, bëhet  fjalë për zhytësit e njohur Ismail Kasumin, Imer Bekën, Qerim Hoxhen etj.

Vlen të theksojmë se Kasumi së fundi është angazhuar vetëm njëherë por pa mbështetje dhe përkrahje të duhur.

Por, këta zhytës është dashur që të ftohen dhe të përkrahen së paku për shkak të përvojës së tyre të gjatë në zhytje dhe në sporte tjera ujore.

Përndryshe, Imer Beka dhe Qerim Hoxha në jetën e përditshme janë të angazhuar në profesione tjera.

Ndërkaq, sot pjesëtarët e FSK-së, Policisë dhe AME-së kanë kontrolluar 7 ura për të cilat dyshohet të jetë trupi i policit, Armend Trena. Sipas PK-së kushtet atmosferike kanë vështirësuar tejet shumë kërkimet.

Kujtojmë, se trupi i policit, Malsor Dashi është gjetur tek njëra urë pas pesë ditë kërkimi, ku pastaj është varrosur në Kaçanik.

Malsor Dashi dhe Armend Trena ishin aksidentuar të shtunën e kaluar teksa po lëvizshin me veturë zyrtare në rrugën Hani Elez-Kaçanik./Indeksonline/