12:07 / E Enjte, 13 Gusht 2020 / indeksADMonline

A janë të gatshme komunat t’i pranojnë nxënësit nga shtatori në shkolla?

Që nga 11 mars kur mori vendim qeveria e Kosovës e udhëhequr atë kohë nga Albin Kurti për mbylljen e shkollave për shkak të pandemisë Covid-19 dhe rrezikut të përhapjes së saj, nxënësit nuk zhvilluan mësimin në objektet shkollore, shkruan IndeksOnline.

E tek me 23 të muajit mars ata filluan të zhvillojnë për herë të parë mësimin nga distanca, i quajtur e-mësimi.

Ndërsa tani kur jemi në prag të vitit të ri shkollor, ministri i Arsimit Ramë Likaj ka paralajmëruar për kthimin e nxënësve në bankat shkollore. Likaj duke raportuar në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, e ka dhënë lajmin e shumë pritur nga nxënësit, prindërit e mësimdhënësit.

Mirëpo sa janë të gatshme komunat e Kosovës për të kryer të gjitha përgatitjet që kthimi i nxënësve në shkolla të jetë i sigurt?

 IndeksOnline ka marrë përgjigje nga kryetar e zyrtar të disa komunave në lidhje me këtë çështje.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për IndeksOnline, tha se sot do të mbajnë një takim me të gjithë akterët e përfshirë në këtë situatë. Sipas tij prioritet mbetet rikthimin i nxënëseve në bankat shkollore dhe se për këtë do të bëjnë çdo gjë që duhet.

“Përgatitjet i kemi filluar sot  dom të kemi një mbledhje të bordit dhe do të flasim me drejtorin e arsimit për të organizuar këtë. Padyshim që kthimi i fëmijëve në shkolla është prioritet i komunës së Vushtrrisë dhe i imi personal. Por ky rikthim duhet të bëhet në mënyrë sa më të sigurt dhe ne po presim që të ndodh kjo në shtator. Të gjitha përgatitjet dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet si komunë që të kthehen në shtator fëmijët në shkolla”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Ndërsa kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, gjatë një adresimi ka thënë se komuna e tij ka propozuar që mësimi të zhvillohet drejtpërdrejtë në shkolla, pasi që sipas tij Kosova nuk ka kapacitete për zhvillimin e  mësimit online.

“Gjilani ka rekomanduar që mësimi të jetë në shkollë drejtpërdrejtë në shkollë, e jo opsionin e dytë apo të tretë sepse ne besojmë që nuk kemi kapacitete dhe mundësi për një nivel të komunikimit nga mësim nxënia dhe përmes teknologjisë. Në anën tjetër  gjendja sociale e prindërve e  gjithë komunitetit tonë është e njëjtë nuk ka dallim, përkundrazi  ka degraduar muajt e fundit si pasojë e impaktit ekonomik në këtë kohë të pandemisë”, theksoi Haziri.

Ndëkohë drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt Afrim Llabjani i tha IndeksOnline se të gjitha përgatitjet  e që janë të zakonshme para fillimit të çdo viti të ri shkollor janë kryer.

Llabjani theksoi se sa i përket hapësirave Ferizaj nuk e ka ndonjë problem, meqë ka 60 objekte shkollore.

“Kemi bërë renovime ku ka pasur nevojë, kemi  bërë pastrimet, lyerjet e nevojshme, siç i bëjmë rëndom. Po ashtu kemi bërë dezinfektimin e shkollave gjatë korrikut, si parapërgatitje për testin e arritshmërisë dhe atë të maturës, e që nuk u mbajtën. Ne jemi  përgatitur për tu kthyer sepse kemi 60 objekte  shkollore, , nuk e kemi telashin sa i përket shkollave nëpër fshatra”, tha Llabjani.

Problematike sipas tij do të jenë shkollat në qytet, për shkak të numrit të madh të nxënësve që gravitojnë në to.

“Telashja do të jetë me nxënësit e shkollave të qytetit, sepse kemi shtimë mekanikë, kjo mund të na qetë telashe, por sa për fillim me klasat e para dhe të dyta nuk do të kemi telashe”, theksoi Llabjani për IndeksOnline.

E në komunën që ka numër të konsiderueshëm të nxënësve atë të Fushë Kosovës, tashmë përgatitjen kanë filluar për të pritur nxënësit e ciklit të ultë që nga 1 shtatori. Këtë për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj komune Ali Topalli.

Ai ka treguar se mësimi do të mbahet në tri ndërrime.

“Është koordinim i brendshëm bashkë me drejtorët e shkollave, në fshatra të fillon mësimi proces i rregullt deri në klasën e 9-të, ndërsa në qytet do të fillojë mësimi vetëm në ciklin e ulët, në tri ndërrime, ndërsa ciklin i lartë do të filloj mësimin online”, tha Topalli për IndeksOnline.