19:59 / E Diele, 10 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

A mund të bie Qeveria, në rast se nuk kalon Demarkacioni?

Çështja e Demarkacioni nuk është e lidhur drejtpërdrejt me rrëzimin e Qeverisë, megjithatë ajo mund të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve mes partnerëve të koalicionit qeverisë.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët vlerësojnë se në rast të rënies eventuale të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvend, mund të ashpërsohen marrëdhëniet mes tyre, por jo domosdoshmërish të bie Qeveria.

“Nuk mund të ndikojë Demarkacioni në rënien e Qeverisë, pra kjo çështje është e pavarur. Tjetër gjë është nëse mosmarrëveshjet në mes të partnerëve të koalicionit ashpërsohen eventualisht pas rënies së Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvend. Gjendja aktuale është e tillë se kemi të paktën dy partnerë në koalicion që njëri është që të kalojë kjo marrëveshja dhe partneri i dytë është që të mos kalojë, të mos shkojë ai version sepse e konsiderojnë se është i padrejtë dhe se Kosova mund të  humb territor.  Ajo mund të ndikojë por jo domosdoshmërish Qeveria është e lidhur me këtë dhe se ajo duhet të bjerë”, ka thënë njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu në një prononcim për Indeksonline.

Njësoj shprehet edhe njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova i cili në një prononcim për Indeksonline ka thënë se megjithëse rënia e Demarkacionit nuk varet drejtpërdrejt me fatin e Qeverisë, ajo mund të ndikojë në komplikimin e mbiqëndrueshmërisë politike.

“Nuk varet fati i Qeverisë nga Demarkacioni, por varet shumëçka tjetër nga ky koalicion. Është lënduese për Qeverinë nëse ky demarkacion ia komplikon mbiqëndrueshmërinë politike se përndryshe nuk besoj që do të bie Qeveria për shkak të tij”, ka thënë Sallova.

Ndryshe, Sallova nuk beson se do të ketë zgjedhje të reja, pasi, sipas tij, tre palë zgjedhje brenda një viti është shumë. Ai mendon se mund të ketë riformatim të Qeverisë, apo ndryshim të partnerëve politike në koalicion, por jo edhe zgjedhje të reja. /Indeksonline/