23:00 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

A ndikon ndryshimi i pushtetit serb me çështjen e Kosovës?

Edhe po të ndryshohet pushteti në Serbi, kjo nuk do të kishte aspak ndryshim në raport me Kosovën për shkak se shteti serb nuk do e njohë shtetësinë e saj. Kështu ka deklaruar analisti Mazllum Baraliu, i cili ka komentuar situatën e fundit në Serbi ku po flitet për rrëzim të Aleksandar Vuçiqit nga pushteti.

Sipas Baraliut, cilido nga emrat e krerëve serbë që vjen në udhëheqje nuk çon peshë për Kosovën, meqë të gjithë kanë qëllimë anti-kosovare.

“Në radhë të parë, shteti i Kosovës dhe institucionet e Republikës do të duhej ta kishin gjithmonë në vëmendje, se Serbia prodhon vetëm lider sikurse edhe ide anti-shqiptare përgjithësisht dhe kosovare veçanërisht. Tani në dialog kur jemi, dallimi është shumë i vogël në esencë mes Vuçiqit, Daçiqit, Jeremiqit, Tadiqit, madje edhe Sheshelit, veçse metodat e të shprehurit jam paksa më të kamufluara, në përbërje të moderuara sikur ato të Vuciqit. Përndryshe, Serbia nuk do ta njohë Kosovën asnjëherë dhe është padrejtësi që po i bëhet opinionit publik deri në mashtrim që po bombardohet se do të ketë njohje reciproke”, ka thënë ai në një përgjigje për Indeksonline.

Tutje, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare ka thënë se opozita serbe po bën lojëra për shkak se duan të mobilizohen për shkak të situatës delikate të dialogut në Bruksel. E, për këtë të fundit, Baraliu është shprehur se do e ketë të vështirë të punojë me secilin, sidomos me Jeremiqin.

“Çfarëdo loje që po bën opozita atje, mund të jetë mobilizim për shkak të gjendjes delikate dhe dialogut në Bruksel, mirëpo Kosova nuk humb asgjë. Do ta ketë vetëm Brukseli të vështirë të punojë me secilin prej tyre, veçanërisht me Jeremiqin, për shkak të pretendimeve që i ka rreth fazës përfundimtare të dialogut”, ka deklaruar Baraliu.

Së fundmi ka pasur deklarime nga krerë të shtetit serb se presidenti Aleksandar Vuçiq do e njohë Kosovën dhe kjo do ia sigurojë Serbisë ulësen në OKB. Kështu, nisën edhe spekulimet se është krijuar një strategji për ta rrëzuar atë.

Sipas medieve serbe, më 21 maj në qytetin e Shkupit është biseduar për përgatitje të terrenit për ndryshim të pushtetit në Serbi dhe si emër për udhëheqjen e ardhshme është përmendur Vuk Jeremiq, lider i opozitës./Indeksonline/