20:41 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

A po “kolonizohen hapësirat gjithëshqiptare, nga “magnatët mediatik”?

1. Gjithnjë fitohet përshtypja se disa nga mediet elektronike, ato të shkruara, e besa edhe rrjetet sociale në ambientet e tilla ku zhvillohen proceset e seleksionimit të elitave të ardhshme partiake nëpër kuvendet e organizuara, shpesh disi po e marrin rolin e të qenit bajraktarë e prokurorë politikë të kampanjave (nëse mund të shprehemi kështu!) në komunikimet e përditshme sociale – në vend që të lozin rolin e një vrojtuesi neutral, apo një transmetuesi profesional të gjithë zhvillimit dhe procesit të adresuar në fjalë, në mënyrë që publikut t’ia bartë sa më besnikërisht gjithë dozën e informatës.

2. Duke u gjendur në këso “sandviç” raportesh, mediet kosovare (jo gjithnjë dhe jo të gjitha), në fakt po marrin rolin e padashur të promotorit, apo atij cilësuesit qendror që bartë mesazhe politike në vend që të informojë publikun në cilësinë e një katalizatori për ato ngjarje apo ndodhi.

3. Në demokracinë globale mediale të sotme, padyshim që fokusimi në karizmat politike është një farë mënyre edhe një mekanizëm i mbijetimit në konkurrencën që p.sh. në rastet e vendeve në transicion mund dhe zakonisht shndërrohen në konkurrence jo luajale, me përplot ndërskamca, shantazhe, kërcënime, etj.

4. Sjellja e tillë – nga përvojat e zgjedhjeve që u organizuan në Kosovë në gjitha këto vite – po krijon një imazh që nënkupton se kampanjat e të gjitha partive politike në fakt ishin jo për programe, jo për vizione adapte me zhvillimet dhe proceset në fjalë, pra, për ide të reja programore, por një lloj testi për kondicionin mediatik të liderëve për të grabitur sa më shumë pushtet?!

5. Kjo sjellje e dëshmuar e disa medieve kosovare në në cilësinë e ofertueseve “publikë” dhe “jopublikë” për “koalicione” të mundshme me politikanët e fuqishëm karizmatik (në vend me publikun gjerë), prodhoi perceptimin se ato në realitet janë duke qeverisur me jetën publike politike të shtetit!?

6. Tani, nëse flasim për “tiraninë” (opinionin e gjerë) e quajtur publik, studimet e shumta kanë dëshmuar se ai të shumtën e rasteve, si thuhet ne popull “e ka humbur derën ne oborr” me faktin se nëse p.sh. i analizojmë rastet e shumë skandaleve të “promovuara” po nga këto media në mënyrë tejet pompoze, asnjëherë nuk e patëm të qartë si pjesë e këtij publiku, apo edhe si shoqëri civile, apo edhe si intelektualë, se nëse ato lajme për këto skandale të ndodhura ishin apo s’ishin të vërteta?!

7. Tani, problemi i ngritur në fakt është çështje fondamentale për ndërtimin dhe fuqizimin e asaj që e shquajmë demokraci funksionale, edhe për shkak se demokracia kërkon qytetari aktive apo online demokraci, e jo pasivitet dhe iluzion se çdo gjë është në rregull.

8. Meqenëse lufta kundër kësaj “fjetjeje aktive qytetare” është (kujtoj unë) sa problem politik aq edhe ideologjik e praktik, edhe me faktin se të qëndruarit pasiv, pra indiferent ndajë ngjarjeve, ndodhive dhe problemeve të shfaqura në shoqëri, në një mënyrë qarqeve të ndryshme të biznesit (që tashmë kanë marrë krahë dhe fuqi për kushtet tona marramendëse?!) po u hap derën për të vënë një pushtet absolut që në Evropën e nisur kah integrimet, është absurd i llojit të vetë!

9. Zgjidhja e mundshme për të “ikur” nga ky ndikim i fortë dhe i padiskutueshëm i medieve që vihen në shërbim të politikave ditore, por edhe atyre politikave të ngushta klanore nëpër partitë politike në Kosovë, është për mendimin tim pikërisht në mediet tjera që akoma s’janë futur në kthetrat e këtyre tipave dhe klaneve mediatike, por edhe tek intelektualët që kanë arritur në një farë mënyre të zhveshën tërësisht nga çfarëdo lloji ndikimi apo interesi material e ideologjik partiak.

10. Atëherë, nëse si synim e kemi shkurtimin e “ecarakes” së nërtimit të një shoqërie tipike demokratike, ne duhet të marrim shembull mediet me ndikim global siç janë CNN-ja apo Al Jazeera, dhe të kuptojmë dhe dëshmojmë që trendi i depolitizimit të magnatëve medial është evident, dhe se ato këtë primat të qenurit në maje të medieve globale, e kanë ndërtuar pikërisht duke informuar saktë dhe me shpejtësi marramendëse publikun e gjerë global. Ndryshe, sikur të mbeteshin nën “mëshirën” (lexo: “lëmoshën” qeveritare), padyshim që do të gjendeshin akoma në situatat përpëlitëse të mbijetesës e padyshim edhe te persekutimit politik nga te gjitha ideologjitë .

11. Në fakt, një përvojë të tillë të “shkurorëzimit” nuk është herët ta fillojnë edhe mediet gjithëshqiptare, në veçanti këto kosovare që janë akoma shumë larg këtij procesi. Kuptohet, në rast se dëshirojnë të mbahen si neutrale dhe tejet profesionale, e ne këtë këndvështrim edhe të prosperojnë në këtë biznes…