20:48 / E Diele, 29 Mars 2020 / indeksADMonline

Abdixhiku jep shpresë: Kosova me numrin më të vogël me COVID19 në rajon, edhe pak durim!

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka pasqyruar grafikonin e shpresës.

Ai ka thënë se në krahasim me vendet e tjera në rajon, Kosova vazhdon të ketë numrin më të ulët të rasteve me koronavirus, transmeton Indeksonline.

E, për këtë ministri thotë se duhet falënderuar secilin dhe se kjo s’do të thotë që s’duhet të vazhdojmë të kujdesmi edhe më shumë.

Ky është postimi i tij:

Grafikoni i shpresës.

Jemi duke i krahasuar vazhdimisht të dhënat me rajon. Kosova vazhdon të ketë numrin më të ulët të rasteve me COVID-19. Por ky s’është lajmi thelbësor. Lajmi më i rëndësishëm ështē se vendi ynë vazhdon të ketë trend të sheshtë të lakores. Pra rritmi i rritjes s’është eksponencial. E beteja sot nëpër botë bëhet mu për këtë lakore; që ajo të jetë sa më e rrafshët, sa më e sheshtë, sa më pak e pjerrët.

Masat e marra me kohë – para shumë shteteve të tjera në Evropë e po se po edhe këtyre në rajon – bashkë me sjelljen tonë kolektive duket se po japin rezultat. Për këtë duhet falenderuar secilin prej jush. Por kjo nuk thotë asgjë nëse s’vazhdojmë të kujdesemi edhe më shumë. Shumë vende e shtete nëpër botë e kanë humbur betejën në një ditë. Po ndalëm hapin na pret e njëjta gjë.

Prandaj na duhet një raund kujdesi final, në atë që ekspertët më të mirë të shtetit po e quajnë periudhë kritike. T’i dëgjojmë. Shmangini vizitat familjare, rrugëtimet pa nevojë e daljet e jourgjente. Jemi në një kohë të pazakontë, por na duhet një veprim krejt i zakonshëm – qëndrimi në shtëpi.

Edhe pak; durim. S’na ka mbetur shumë.
Do të kemi kohë për të gjitha.