11:49 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

ABGJ: Nëse nuk i parandalojmë vrasjet, të gjithë jemi përgjegjës për to

Agjencia për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit ka reaguar ndaj vrasjes së gruas me vajzë nga kryefamiljari në Gjakovë.

Përmes një komunikate, kjo agjenci ka theksuar se nëse nuk vetëdijësohet shoqëria  dhe nëse nuk parandalohen vrasjet, atëherë të gjithë janë përgjegës për to, transmeton Indeksonline.

Më poshtë komunikata e plotë:

Agjencia për Barazi Gjinore-Zyra e Kryeministrit,  dënon aktin makabër në Gjakovë, ku një grua dhe vajza e saj 9 vjeçare u vranë brenda ambientit familjarë, nga bashkëshorti i viktimës, babai i vajzës. Humbja e jetëve të reja, të cilat ne si institucione nuk arritëm ti mbrojmë, është thirrje për të gjithë ofruesit e shërbimeve për mbrojtje nga dhuna në familje, institucionet dhe qytetarët për situatën alarmante me të cilën po ballafaqohet shoqëria jonë ku  gratë dhe vajzat  po humbin jetën nga dora e njerëzve më të afërt.

Aktet e tilla janë të papranueshme për shoqërinë tonë dhe kërkojnë  vëmendjen e shtuar nga institucionet e edukimit, sigurisë dhe drejtësisë për të mbrojtur jetët e grave dhe vajzave.  Jemi përgjegjës për çdo jetë të humbur nëse nuk arrijmë te vetëdijesojmë, parandalojmë dhe mbrojmë jetët e viktimave të dhunës në baza gjinore.

ABGJ kërkon që forca e ligjit, shtetit të së drejtës, të veproj  ndaj përgjegjësit me dënim maksimal , si dhe të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre personave kompetentë nëse nuk kanë reaguar sipas protokolleve shtetërore për parandalimin e rastit të dhunës në familje.

Jeta e humbur e çdo gruaje, vajze është humbje për shoqërinë, kapitalin njerëzorë dhe të ardhmen e vendit, është rrezikim i drejtpërdrejtë i sundimit të rendit dhe ligjit të shtetit të cilin me shumë sakrifica po  e ndërtojmë.

ABGJ shprehë ngushëllimet me të sinqerta për familjen e viktimave! /Indeksonline/