11:18 / E Hënë, 04 Qershor 2018 / indeksADMonline

Abrashi numëron dështimet e Shpend Ahmetit (Video)

Ish kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi përmes një konference për media ka folur për zhvillimet e fundit në kryeqytet.

Sipas tij, kryeqytetet tjera të Ballkanit Perëndimor po përjetojnë një zhvillim të paparë, por jo edhe Prishtina.

Abrashi, thotë se kanë dështuar shumica e projekteve të mëdha dhe se kryetari i tanishëm po i jep rëndësi projekteve tjera të vogla e që janë në interes të tij personal, raporton Indeksonline.

“Që të shpjegohet se çka po ndodh sa u përket projekteve zhvillimore në Prishtinë, nga 107 projekte të parapara sipas planit të prokurorimit plani të cilin vet e ka hartuar komuna e Prishtinës, dhe kryetari i komunës, deri në maj janë publikuar vetëm 66 projekte, që paraqesin në procedurë prej 61 për qind të kontratave të parapara.  Kjo është shumë pak, sepse të gjithë  ata që punojnë në qeverisje me administratë e dinë që projektet duhet të paraqiten, të publikohen, realisht të nënshkruhen kontratat deri në periudhën maj-qershor, në mënyrë që të realizohen projektet deri në fund të vitit. Prandaj edhe ky 61 për qind i projekteve të cilat që janë nënshkruar deri në maj paraqet edhe rrezikon që të dështojë, sepse edhe ka ankesa dhe ka procedura të tjera me të cilat ballafaqohet administrata”, u shpreh ai.

Ndërsa, ai ka shtuar se administrata e Komunës së Prishtinës është mbingarkuar edhe për nga numri i punëtorëve dhe kjo paraqet edhe sfidë për buxhetin e Prishtinës.

“Në javët e fundit kemi parë një rritje të administratës së komunës së Prishtinës, edhe me tri drejtori të reja tjera, që paraqet edhe një ngulfatje më të madhe, edhe për buxhetin edhe për qytetarët, edhe për vet administratën në Prishtinë, sot për sot komuna e Prishtinës ka më së shumti drejtori në tërë Kosovën, derisa është proklamu për efikasitet, për shërbime më të mira ndaj qytetarëve, sot kemi një administratë të tej ngulfatur, me numrin më të madh të drejtorive, në të gjitha komunat në Kosovë”, tha ai.

Ulja e të hyrave, rritja e shpenzimeve, vetura me qira, mos realizimi i projekteve kapitale, janë përmendur si dëshmi nga LDK-ja, se qeverisja e Prishtinës ka degraduar skajshmërisht dhe nuk ka shpresë për lëvizje pozitive në të ardhmen. /Indeksonline/