75 Mall Live Search
12:28 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / MSH1

Ademi takon klubet e promovuara në ligat vendore: Puna dhe vizioni sportiv shpërblehen me suksese të merituara

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur drejtuesit e klubeve që siguruan promovimin në një kategori më të lartë për edicionin e ri të garave, duke i uruar për suksesin e arritur dhe duke vlerësuar punën e tyre të vazhdueshme.

Ademi theksoi se promovimi i këtyre klubeve është rezultat i përkushtimit, organizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, transmeton IndeksOnline.

“Klubeve të promovuara u urova shumë suksese në ligat përkatëse, me bindjen se do të vazhdojnë të forcojnë organizimin profesional, të zhvillojnë kampionate cilësore dhe të japin kontribut të rëndësishëm në avancimin dhe zhvillimin e futbollit dhe futsallit në Kosovë”, shkroi Ademi.

Ky është postimi i plotë i tij:

Me kënaqësi të veçantë mirëprita drejtuesit e klubeve të cilët, falë punës së palodhur së bashku me stafet e tyre, përkushtimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të qëndrueshëm, kanë arritur me meritë promovimin në një kategori më lart në garat e organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Mirë se erdhët në kategoritë tuaja të reja:

Superliga: FC Vushtrria dhe FC Feronikeli 74

Liga e Parë: FC Mitrovica dhe FC Lepenci

Liga e Dytë: FC Dardana 10 dhe FC Istogu 03

Superliga e Futsallit: FC Policia dhe FC Rahoveci

Superliga e Vajzave: FC 2 Korriku

Ky promovim është rezultat i një pune të gjatë, i përkushtimit të vazhdueshëm dhe i besimit në projektet sportive që secili klub ka ndërtuar ndër vite. Këto suksese dëshmojnë qartë se puna, organizimi dhe vizioni i mirëfilltë sportiv gjithmonë shpërblehen me arritje të merituara.

Klubeve të promovuara u urova shumë suksese në ligat përkatëse, me bindjen se do të vazhdojnë të forcojnë organizimin profesional, të zhvillojnë kampionate cilësore dhe të japin kontribut të rëndësishëm në avancimin dhe zhvillimin e futbollit dhe futsallit në Kosovë.

Urime për këtë arritje të rëndësishme dhe shumë suksese në këtë kapitull të ri të rrugëtimit tuaj sportiv!