16:37 / E Enjte, 27 Korrik 2023 / LB

AGK kundër kufizimit të hapësirës së punës për mediat në Kuvend

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kufizimit të hapësirës në Kuvend që është e ndarë për mediat.

Në një postim në Facebook, AGK shkruan se ky vendim ka tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi.

“Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar se në seancën e së enjtes, janë ballafaquar me kufizim të dukshëm të kryerjes së detyrave nga hapësira e Kuvendit të Kosovës. Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve. AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi. Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit. AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut. Si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit.”