75 Mall Live Search
21:16 / E Premte, 16 Mars 2018 / indeksADMonline

Alma Lama ua dedikon çmimin ndërkombëtarë Grave të dhunuara gjatë luftës

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar Liberi di Crescere, që e shpalli “Shembull Ndërkombëtar”.  Ceremonia e ndarjes se çmimit u zhvillua të enjten mbrëma,  në Sallën e Nderit të Guardia di Financia.

Gjatë kësaj ceremonie  kanë  marrë  pjesë personalitete të shquara të institucioneve italiane, të artit, medias dhe diplomacisë.

Ambasadorja Lama ishte në mesin e pesë  personaliteteve të shquara që u shpërblyen më ketë çmim, një nga të cilët ishte edhe Presidenti i Senatit Italian,  Pietro Grasi, transmeton Indeksonline.

Në motivacionin e çmimit për ambasadoren Lama, shkruhej:

“Shembull ndërkombëtar i Gruas së angazhuar në zgjidhjen e tensioneve në një kontekst shumë të vështirë, parlamentare shumë e njohur në Republikën e Kosovës, zonja Lama gjithmonë është dalluar për një angazhim të veçantë në favor të shtresave më të dobëta të popullatës, për të drejtat e njeriut dhe për vullnetin e fortë për integrimin evropian.

Në profesionin e saj të mëparshëm si gazetare holumtuese, ajo ka trajtuar krimet e luftës dhe korrupsionin. Departamenti i Shtetit Amerikan e ka përzgjedhur atë, midis pesëdhjetë grave te ardhshme udhëheqëse në botë.”

Në fjalën e rastit ambasadorja Lama tha se ndihet jashtëzakonisht e nderuar që puna e saj në Kosovë po vlerësohet ndërkombëtarisht, gjë që nuk e kishte pritur dhe se ky çmim do ta motivojë edhe më tepër të për të punuar për të mirën publike.

“Betejat e mia të përditshme kanë qenë ato për më shumë drejtësi sociale, për më shumë të drejta të grave, për më shumë barazi e integritet.

Ju e dini se këto beteja nuk janë të lehta në asnjë shoqëri, por vecanërisht në një vend që ka vuajtur me dekata nga një diskriminim strukturor, janë edhe më të vështira,”  tha Lama para të pranishmëve.

Ajo shtoi se është krenare që Kosova ka një nga kushtetutat më të avancuara në botë për të drejtat e njeriut, parime të vendosura ne kontinentin europian, dhe se Kosova ka bërë hapa gjigandë në përmbushjen e tyre.

Në fund të fjalës së saj, Ambasadorja Lama tha se Cmimin Liberi di Cresgere, që iu nda asaj për angazhimin në Kosovë, do t’ia dedikojë, të gjitha atyre grave në Kosovë që gjatë luftës përjetutuan eksperienca të tmerrshme të dhunës seksuale, që është një krim lufte, e  që sot kanë rigjetur forcën për të jetuar me dinjitet.

Organizata La caramellaBuona ONLUS, e cila ndan këtë çmim, merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të grave, dhe ka një reputacion ndërkombëtar. Ajo është dekoruar nga presidenti i Republikës, nga NATO etj. Çmimet u ndanë me rastin e 21 vjetorit të themelimit të organizatës.

Çmimi Liberi di Crescere i është ndarë më herët edhe personaliteteve të tjera të shquara të Italisë dhe Vatikanit./Indeksonline/