14:43 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ambasadori Greiçevci në takim lamtumirës me ministrin Britanik për Evropë

Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci ka zhvilluar takim lamtumirës me Ministrin Britanik për Evropë, Sir Alan Duncan.

“Ministrin e falënderova për mikpritjen të cilën ma ka ofruar Qeveria Britanike gjatë ushtrimit të mandatit tim në Londër, e në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme (Foreign Office). Të shërbesh në një shtet kaq miqësor dhe mbështetës ndaj Kosovës është një privilegj i veçantë. Shteti britanik ka hyrë në luftë për ta çliruar Kosovën, i ka dhënë krah ndërtimit të institucioneve të lira dhe demokratike pas luftës dhe ka qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën. Kjo mbështetje ka vazhduar edhe pas pavarësisë, duke ndihmuar në masivizimin e njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përmes rrjetit të tyre global diplomatik”, ka deklaruar Greiçevci.

Ambasadori e ka falënderuar ministrin edhe për organizimin e shkëlqyeshëm të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, para disa javësh, ku Kosova mori pjesë e barabartë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit.

“Kjo është shenjë e qartë e vazhdimit të angazhimit britanik në rajonin e Ballkanit edhe pas BREXIT i cili është i domosdoshëm. Shpreha shpresën që raportet e ardhshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian të jenë sa më të afërta. Bota dhe në veçanti rajoni ynë ka nevojë për një Mbretëri të Bashkuar të fortë dhe një Bashkim Evropian të fortë. Lidershipi dhe vlerat britanike, të cilat populli britanik ia ka dhuruar gjithë botës, janë më të nevojshme se asnjëherë më parë, në kohërat në të cilat po kalojmë”, ka thënë ai.

Ambasadori thotë se shërbimi i tij në Londër vetëm se ja ka shtuar respektin, shpresën dhe besimin në këtë shtet dhe në këtë popull të mrekullueshëm.

“Siç dihet, si diplomatë, ne jemi mysafirë të përkohshëm, por miqësia dhe aleanca dhe midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është e përhershme”, ka përfunduar Greiçevci, i cili këtë javë organizoi edhe pritjen e madhe për gjithë korin diplomatik në Londër.

Rikujtojmë se ambasadori i Kosovës në Londër ka qenë njëri ndër ambasadorët më të suksesshëm që ka përfaqësuar denjësisht Republikën e Kosovës./Indeksonline/