15:18 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ambasadori serb pretendon se Kosova tentoi t’i shmangë procedurat për UNESCO

Ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq po pretendon se Kosova ka tentuar t’i kapërcejë procedurat për anëtarësim në këtë organizatë.

Ai në një intervistë për Novosti, ka thënë se autoritetet e Prishtinës kanë tentuar të bëjnë “surpriza por u fundosën”.

“Herë pas here janë shfaqur idetë e një shkurtimi të procedurave, dhe në bazë të këtyre ka pasur një informim të pamjaftueshëm. Synohej që çështja e pranimit të Kosovës të futej në rend dite në Konferencën e Përgjithshme, pasi në vitin 2015 kjo kërkesë u refuzua. Madje kishte edhe informacione se Prishtina do t’i shkruante një kërkesë drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, dhe jo direkt Këshillit Ekzekutiv”, shpjegon Tanaskoviq, transmeton lajmi.net

Ambasadori serb në UNESCO është i vetëdijshëm se autoritetet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për anëtarësim në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Është e sigurt se Prishtina do të vazhdojë me përpjekje, përkundër se kanë përjetuar tri humbje. Në organizatën e Doganave, Interpol dhe UNESCO. Kjo është një strategji për anëtarësim në UNESCO”, përfundoi Darko Tanaskoviq.

Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga aplikimi në Interpol dhe UNESCO, pasi nuk kishin arritur t’i siguronin votat.

Temat: