09:58 / E Enjte, 14 Nëntor 2019

Analistët: VV-LDK, duhet t’i kapëcejnë dallimet për dialogun

Njohësit e rrethanave politike besojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta gjejnë një kompromis për dialogun Kosovë – Serbi.

Behxhet Shala dhe Imer Mushkolaj kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se këto dy parti janë të detyruara t’i harmonizojnë qëndrimet rreth kësaj çështjeje, nëse duan që të bashkëqeverisin.

“Këto dy subjekt politike për këtë çështje kanë pasur qëndrime të papajtueshme. LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që dialogu me Serbinë të afatizohet, pra të ketë një fillim dhe një fund, kurse LV-ja asnjëherë nuk e ka pranuar përmbajtjen e këtij dialogu. Pra, ky subjekt politik e ka kundërshtuar edhe mënyrën e dialogimit dhe formatin e këtij procesi”, ka thënë për “Epokën e re” analisti Behxhet Shala.

Ai ka bërë me dije se këto dy pati politike duhet të heqin dorë nga qëndrimet që i kanë pasur sa kanë qenë në opozitë.

“Tashti meqenëse duhet të bëhen bashkë në qeverinë e re, këto dy subjekte politike nuk kanë qare pa e gjetur një mes për këtë çështje. Sikurse Vetëvendosja dhe z. Kurti si kryeministër i ardhshëm nuk do të mund t’i mbajnë pozicionet e mëparshme. Qëndrimet e mëhershme të Kurtit kanë qenë qëndrime opozitare, kurse në opozitë duhet të thuhen fjalë të tjera”, është shprehur Shala, duke shtuar se procesi i dialogut Kosovë – Serbi është në një fazë ku të dyja partitë duhet të lëvizin nga pozicionet e tyre dhe të gjejnë një mes i cili nuk do t’i dëmtonte interesat e Republikës së Kosovës.

“Tani nuk do të kenë shumë hapësirë manovrimi as LDK-ja e as LV-ja, sepse në këtë proces fjalën kryesore do ta kenë ndërkombëtarët. Mendoj se ata tashmë e kanë bërë një draft të marrëveshjes ku përcaktohet se çka do të përmbajë ajo marrëveshje. Nëse LV-ja insiston në mënyrën e të bërit të këtij dialogu sipas parimeve të veta, atëherë mendoj se ndërkombëtarët do ta kërkojnë një partner tjetër për bisedime. Pra, mendoj se partitë do të largohen nga qëndrimet që kanë pasur më herët dhe t’u përshtaten rrethanave të reja, por gjithnjë duke pasur interesin e Kosovës”, ka thënë Shala.

Edhe analisti tjetër politik Imer Mushkolaj ka deklaruar për gazetën se dy partitë që tashmë i kanë filluar bisedimet për ta formuar qeverinë e re duhet të arrijnë pajtueshmëri rreth kësaj çështje. “Besoj se LDK-ja dhe LV-ja do të mund ta arrijnë pajtimin rreth dialogut. Në masë të madhe partitë pajtohen rreth asaj se si të vazhdojë procesi. Qasja e LV-së është më e ngurtë, në kuptimin e një skanimi që ajo kërkon për të gjitha marrëveshjet e arritura, e ndër këto marrëveshje më e rëndësishmja është ajo e nënshkruar nga ish-kryeministri Isa Mustafa në vitin 2015”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka treguar se LV-ja dhe LDK-ja nuk e kanë luksin që për shkak të dialogut Kosovë – Serbi ta pengojnë arritjen e marrëveshjes së koalicionit për bashkëqeverisje.

“Qasja e këtyre dy partive sa i përket dialogut duhet t’i tejkalojë dallimet partiake sepse bëhet fjalë për nevojën e një pozicioni të qartë shtetëror, në një proces të vështirë. Andaj as LDK-ja e as LV-ja nuk e kanë luksin që çështja e dialogut ose kapriçot e njërës a tjetrës parti ta pengojnë arritjen e marrëveshjes për koalicion dhe, rrjedhimisht, qëndrimin bashkues në dialogun me Serbinë”, është shprehur Mushkolaj.

Pas përfundimi të zgjedhjeve të 6 tetorit grupet e ekspertëve të këtyre dy partive janë takuar disa herë për t’i harmonizuar programet e tyre për bashkëqeverisje.

Zyrtarët e këtyre partive kanë deklaruar se për çështjen e dialogut do të vendosin liderët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa. Këta të fundit kanë deklaruar se grupet e ekspertëve kanë harmonizuar rreth 80 për qind të programeve të tyre.

LDK-ja ka këmbëngulur se marrëveshje për koalicion qeverisës nuk mund të bëjnë pa i certifikuar KQZ-ja rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.