18:58 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

“Anëtarësimi i Kosovës në BE, varet nga vendimet e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme”

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka komentuar strategjinë e zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot në Bruksel.

Deda në një postim në Facebook ka shkruar se po të përmbusheshin obligimet me kohë, sot do të udhëtohej pa viza si dhe Kosova do të ishte më afër BE    -së.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në BE varet nga sjelljet e secilit qytetar të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

Ja postimi i Dedës:

Nga ç’kapja në demokratizim e ndryshim rrënjësor

Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paraqet një dokument të guximshëm që i obligon 6 shtetet për ndryshime rrënjësore. Viti 2025 vendoset si vit orientues për anëtarësim jo vetëm të Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe të çdo shteti tjetër të Ballkanit, NËSE vendet i zbatojnë plotësisht kushtet e përcaktuara. Në rastin e Kosovës, pritet ndër të tjera:

  1. Çkapja e shtetit, fundi i liderëve që janë të lidhur me krimin e e organizuar dhe korrupsionin; rrjedhimisht fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe fundi i kontrollit të mediave.
  2. Arritja e marrëveshjes gjithpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që do të na mundësojë – ndër të tjera – edhe integrimin në BE (lexo: heqjen e pengesës “objektive” të kundërshtimeve të shtetësisë tonë sidomos nga Spanja dhe Qipro, rrjedhimisht derë e vogël për anëtarësim të Kosovës)
  3. Demarkacioni me Serbinë (sa më parë)
  4. Bashkëpunim i plotë me Gjykatën Speciale.
  5. Reforma të thella në fushat prioritare socio-ekonomike.

E në fund, asgjë nuk bëhet me zor. Siç edhe shkruhet në Strategji, anëtarësimi në BE është një zgjedhje.

Po të zgjidhej demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2015 apo në fillim të vitit 2016, ne sot do të udhëtonim pa viza. Po të tregohej përkushtim për përmbushjen e obligimeve të tjera ne do të ishim afër statusit të kandidatit me mundësi dhe datë të qartë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por, shkurtpamësia dhe injoranca politike na kushtoi të gjithëve me izolimin e dukshëm dhe prapambetjen kolektive.

Në vitin 2025, Kosova mund të jetë në prag të anëtarësimit në BE apo në status quo-n e sotme, varësisht nga sjelljet e Kosovës dhe jo të BE-së. E sjelljet e Kosovës do të varen kryekëput nga vendimet e secilit qytetar të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. /Indeksonline/

Temat: