14:14 / E Hënë, 27 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Anulohet ndëshkimi i 4-të i Bujar Ejupit ndaj Kryetarit të Sindikatës së AAC-së

Përmes Vendimit nr. 1187/2022 të datës 13 shkurt 2023, KPMSHCK ka anuluar Vendimin e Bujar Ejupit me të cilin kishte degraduar në pozitë Kryetarin e Sindikatës në AAC, z. Arianit Dobroshi. KPMSHCK poashtu ka anuluar Akt Emërimin e lëshuar nga Safete Selmani, Menaxhere e Personelit në AAC e cila në bashkëveprim me Bujar Ejupin ka tentuar të dëmtojë në mënyrë të kundërligjshme z. Dobroshi. KPMSHCK ka vlerësuar se Vendimi i Bujar Ejupit është i pabazuar, në shpërputhje me parimin e sigurisë juridike dhe në shkelje të dispozitave materiale.

Me qëllim përndjekjeje, Ejupi ka nxjerrë 5 vendime dëmtuese ndaj Kryetarit të Sindikatës në AAC, 4 prej tyre gjatë vitit 2022. Vendimi i 5-të i Ejupit ndaj z. Dobroshi, i cili është në ankimim e sipër, është lëshuar më 30 dhjetor 2022 përmes të cilit poashtu për herë të dytë po tenton t’ia heq kredencialet e inspektorit të rregullimit ekonomik z. Dobroshi pas tentativës së dështuar vitin e kaluar, duke harruar se këto kredenciale janë fituar me mund e investim publik dhe se z. Dobroshi ushtron vazhdimisht funksionin e inspektorit që 5 vite.

Nga 26 vendime të cilat i ka nxjerrë Ejupi kundër anëtarëve të SPAAC, 20 janë anuluar nga KPMSHCK si të jashtëligjshme.

I dëshpëruar që ndëshkimet sistematike ndaj anëtarëve të SPAAC nuk po i  kanë sukses dhe i vendosur që të hakmerret ndaj Kryetarit të SPAAC, Bujar Ejupi kishte tentuar dy herë që ta ulë në pozitë z. Dobroshi gjatë vitit 2022 duke shpikur një arsye e cila që dy herë po dëshmohet si e kundërligjshme. Me tentativën e dytë për ta degraduar z. Dobroshi duke përdor të njejtën arsye, Ejupi shpërfaqë motivin e tij hakmarrës.

Ky ndëshkim ka ardhur pas paraqitjes së z. Dobroshi në Komisionin për Barazi Gjinore në mbështetje të rastit të 5 grave profesioniste të AAC-së para këtij Komisioni. 

Ashtu si paraardhësi i tij tashmë duke u gjykuar, që nga ardhja në detyrë Bujar Ejupi obsesion të vazhdueshëm e ka tregun milionësh të kerozinës në ANP “Adem Jashari” duke tentuar ta ushtroj edhe autoritetin e organeve që e mbikëqyrin kontratën e koncesionit të aeroportit. Në pamundësi për t’i arritur qëllimet e tij, Ejupi po e shpreh frustimin duke ndëshkuar stafin që punon në rregullim ekonomik ku bën pjesë edhe z. Dobroshi.

Kjo tregon shumë se cili është preokupimi kryesor i Bujar Ejupit në AAC: ose t’u hakmerret operatorëve që i mbikëqyr të cilët e kanë larguar nga puna ose anëtarëve të SPAAC që nuk i plotësojnë qëllimet e tij të kundërligjshme. Këto veprime vetëm sa po na inkurajojnë neve si SPAAC për t’i raportuar te organet e rendit të gjitha keqpërdorimet jo vetëm të Bujar Ejupit por edhe të personave të afërt të tij të cilët i kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm AAC-së. Kurse, në veprimet e tij, Ejupi po inkurajohet nga heshtja e vazhdueshme e autoriteteve përgjegjëse që janë të thirrur për ta mbikëqyrur atë.

Arianit Dobroshi ka përfunduar B.S. me nderime të larta “magna cum laude” në Administrim të Aviacionit, California State University, Los Angeles si dhe LLM të avancuar në të drejtën e aviacionit dhe gjithësisë në Leiden University, Holandë. Punon në AAC që nga viti 2009 fillimisht si Zyrtar i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me të kryer studimet master si student i Skemës “Young Cells” pas një procesi transparent konkurimi më 2013 u avancua në pozitën Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar. Më 2017 pas plotësimit të kritereve ligjore i janë deleguar Kredencialet e Inspektorit të Rregullimit Ekonomik të Aviacionit nga Drejtori i Përgjitshëm i AAC. Ka performancë të shkëlqyer në punë nder vite.