14:02 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Arifi-deputetëve: Për cilëndo marrëveshje që keni dilema, dërgojeni në Kushtetuese

Para Komisionit për Punë të Jashtme ka raportuar kryesuesi i delegacionit për bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë, Avni Arifi. Ai ka thënë se do të insistojë që marrëveshjet e arritura të implementohen.

Lidhur me këtë çështje, deputetja e AAK-së Time Kadriaj është shprehur se nuk ka kuptim arritja e marrëveshjeve të reja, pa u implementuar ato të mëparshmet.

“Nuk ka kuptim zhvillimi i marrëveshjeve të reja, sepse çfarë kuptimi ka arritja e ndonjë marrëveshje që nuk implementohet, kjo është barazi me zero. Ju kisha lut të jeni më transparent”, ka thënë ajo.

Arifi ka thënë se është i mendimit që duhet implementuar marrëveshjet paraprake, e pastaj të arrihen tjerat.

“Ky nuk është një proces i lehtë, është i komplikuar. Sa më shumë të gjithë të jeni pjesë e tij është më lehtë të merren vendime të mira. Arsyeja pse ne nuk po pranojmë të bisedojmë për marrëveshje të reja, është ajo e Energjisë, por 5 vite kanë humbë nga realizimi i marrëveshjes. Duhet të implementohet kjo dhe pastaj të shkohet me tjera marrëveshje. Po e përsëris edhe një herë se në çdo takim do të bisedojmë”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Pas Kadriajt, ka folur deputeti i Nismës, Zafir Berisha. Ai ka theksuar mosimplementimin e Marrëveshjes për Drejtësi, shkeljet që Gjykata Kushtetuese i ka gjetur tek marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Berisha kësisoj ka hedhur dilema mbi të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

“Zoti Arifi jeni fut në ujëra të turbullta. Bisedimet nuk janë teknike por janë më shumë se politike dhe në rast se mendoni se vetëm marrëveshja për Asociacionin ka pasur shkelje kushtetuese, unë veç po ua rikujtoj se të gjitha marrëveshjet janë anti-kushtetuese. Ua kujtoj marrëveshjen për Drejtësi. Të gjitha këto marrëveshje duhet me i kompletu dhe me kërku te Gjykata Kushtetuese me i shqyrtu. Bisedimet kanë qenë për cështje të brendshme të Kosovës, por po iu pyes se pse duhet të bisedoeht me Beogradin për urën në Mitrovicë? Po dua të jem i qartë se bisedimet janë gabimi më trashanik që janë bë në Kosovën e pasluftës, vecanërisht pas shpalljes së pavarësisë. Në vitin 2017, kryeministri aktual në Francë u ndal, pastaj është kërku nga BE-ja që Serbia t`i anulojë të gjitha flet-arrestet e lëshuara në INTERPOL për qytetarët e Kosovës. A është realizu kjo dhe disa nga kërkesat e Kuvendit? A është krijuar komoditeti që të vazhdohen këto bisedime? Ju duhet të kërkoni edhe nga Parlamenti që të diskutohet qasja e Kosovës me Serbinë sepse vetëm sa jeni duke thelluar edhe më tepër pozicionin e Kosovës me shtetin i cili ka obligime të mëdhaja ndaj Republikës së Kosovës”, është shprehur ai, raporton Indeksonline.

Arifi, në anën tjëtër, i ka shtyrë deputetët që për secilën marrëveshje që kanë dilema, të mos hezitojnë dhe ta dërgojnë në Kushtetuese.

Ai madje ka shtuar se bisedimet me Serbinë janë krejtësisht politike.

“Me të vërtetë gjithçka në bisedimet Kosovë-Serbi janë politike. Kjo ka të bëjë me anën teknike të marrëveshjeve politike. Këtu nuk duhet askush të ketë asnjë rezervë dhe duhet ta themi haptazi, gjithçka që bisedojmë me Serbinë janë politike. Nuk iu bëj nder nëse flas për urën në Mitrovicë, janë tema që i dini të gjithë. Marrëveshja për Drejtësi dhe çfarëdo marrëveshje që besoni se duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, pse mos t`i dërgoni? Për AKS-në ka treguar se ka shkelje në 22 pika”, ka thënë ai./Indeksonline/