Arjeta Salihu Abazi vazhdon takimet në Llap, mbështetje e fuqishme nga qytetarët dhe rinia e LDK-së
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arjeta Salihu Abazi, ka vazhduar sot aktivitetet elektorale në fshatrat Kërpimeh, Letanc dhe Lluzhan, ku u prit ngrohtësisht nga qytetarët dhe aktivistët e LDK-së.
Gjatë takimeve, Arjeta Salihu Abazi falënderoi banorët për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që, sipas saj, kanë dëshmuar ndër vite ndaj LDK-së.
“Besnikëria ndaj LDK-së dhe vlerave që përfaqëson kjo parti vazhdon të jetë e fortë në çdo cep të Llapit. Kjo mbështetje na jep motivim dhe përgjegjësi për të vazhduar angazhimin tonë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh ajo.
Në vazhdën e aktiviteteve të ditës, Arjeta Salihu Abazi zhvilloi edhe një takim me Forumin Rinor të LDK-së, ku diskutoi për sfidat dhe perspektivën e të rinjve në Kosovë.
Ajo vlerësoi rolin e rinisë në proceset politike dhe theksoi se angazhimi për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë do të mbetet prioritet i saj në Kuvendin e Kosovës.
“Dua t’i falënderoj të rinjtë për energjinë, besimin dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme. Zëri i tyre duhet të dëgjohet më shumë dhe institucionet duhet të punojnë për t’u krijuar mundësi reale që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë”, tha Salihu Abazi.
Takimet e sotme u karakterizuan nga një atmosferë pozitive dhe optimiste, me qytetarë e të rinj që shprehën mbështetjen e tyre për LDK-në dhe kandidaten Arjeta Salihu Abazi në zgjedhjet e 7 Qershorit.

