18:23 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Arlind Sadiku: Kosova do fitoj eksperiencë nga kualifikueset, ka fituar respektin e kundërshtarëve

Kosova është renditur në grupin A së bashku me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi në kualifikimet për EURO 2020.

Pas suksesit të madh në Ligën e Kombeve, kombëtarja më e re e Evropës do të merr pjesë në eliminatoret e para për një Evropian pas atyre të Kupës së Botës dy vite më parë.

Gazetari i mirënjohur kosovar, Arlind Sadiku në një prononcim për Indeksonline ka folur për grupin në të cilin gjendet Kosova.

Ai ka thënë se në këtë fushatë kualifikuese “Dardanët” përveç tjerash do të fitojnë një eksperiencë të madhe.

“Fillimisht, jam i bindur që në këto kualifikime do të kemi eksperiencë shumë më të mirë se në kualifikimet e kaluara për kampionatin botëror. Ne kemi treguar sivjet në Nations League, që nuk jemi nivel i kombëtareve si Azerbajxhani, Ishujt Faroe e Malta”, ka thënë Arlind Sadiku.

“Mos harroni që ne kemi mposhtur në ndeshje miqësore kombëtare shumë të forta si Burkina Faso, Madagaskari dhe Shqipëria dhe mendoj që ky kompeticion ku Kosova merr pjesë për herë të parë, vjen në kohën e duhur kur ekipi është pjekur dhe lojtarët e njohin shumë mirë njëri tjetrin”.

Sadiku ka shtuar se përveç Anglisë që është në një nivel tjetër, kundërshtarët tjerë janë në nivel të Kosovës.

“Tash, kombëtaret që na kanë rënë në grupin A duhet ti ndajmë kësi soji. Anglia është skuadër e klasit botëror ndërsa kombëtaret tjera, Mali i Zi, Bullgaria dhe Çekia janë afërsisht në një nivel. Me plot bindje e them që asnjë ekip nuk do të na nënvlerësoj neve, madje as Anglia, dhe do të hyjnë në të gjitha ndeshjet me skuadrën më të fortë”, shtoi gazetari i Superpsort.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe faktin se ndeshjet e Kosovës në National League i kanë bërë kundërshtarët të tregojnë respekt.

“Fitoret e thella ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit i kanë bërë të gjithë ekipet kombëtare të tregojnë respekt për ne.  Kualifikimi në playoff të Nations League, besoj që do të ketë efekt pozitiv për futbollistët tanë që të jenë më të qetë psikologjikisht dhe të luajnë pa presion ndaj të gjithë kundërshtarëve. Meqenëse 2 ekipet e para kualifikohen direkt në “Euro 2020”, mendoj se është më mirë që jemi në grup me 5 kombëtare se sa me 6”, ka përfunduar Arlind Sadiku.

Kujtojmë se Kosova përveç garave kualifikuese, ka edhe një mundësi të luaj në Euro 2020 përmes Playoff-it të Ligës së Kombeve. /IndeksOnline/