12:30 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

Armand Duka zyrtarizon kandidaturën për kreun e FSHF

Armando Duka ka shpallur kandidaturën për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit duke kërkuar një mandat të pestë në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend.

Ka qenë vetë Duka i cili përmes një statusi në faqen e vet zyrtare në Facebook ka zyrtarizuar vendimin për rinkandidim në garën që do të zhvillohet më 7 shkurt në Durrës.

Statusi i Dukës

Së bashku për futbollin

Ndihem jo vetëm i detyruar por mbi të gjitha i vlerësuar dhe i respektuar që një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të futbollit dhe anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit ka kërkuar rikandidimin tim në rolin e presidentit të ketij institucioni.

Pas konsultave me faktorë të rëndësishëm dhe grupe interesi që përfaqësojnë të gjjtha kategoritë, moshat dhe gjinitë vendosa të rikandidoj i bindur se të gjithë bashkë përfshirë dhe ju që nuk keni të drejtë vote mund të vazhdojmë se bashku një rrugë e cila në mënyrë të pashmangshme na ka dërguar te progresi.

Masivizimi i futbollit, fëmijët, të rinjtë, femrat, rezultatet e skuadrës Kombëtare me objektivin madhor për kualifikimin në EURO 2020 dhe Kupën e Botës 2022, arritjet e klubeve në arenën ndërkombëtare, politikat e futbollit dhe e ardhmja e garantuar më japin besim se sërish do vendosim për një futboll shqiptar gjithnjë e më të mirë.

Që nga ky moment jam në dispozicion te të gjithë anëtarëve te Asamblesë Zgjedhore.

Me respekt Armand Duka