22:31 / E Enjte, 11 Korrik 2019

Arrestimi i Ridvan Ademit u bë pas bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe të Belgjikës

Gjatë ditës së sotme Indeksonline raportoi se në Bruksel është arrestuar i shumëkërkuari, Ridvan Ademi.

Ai është pjesë e grupit që dyshohen për grabitje në pika të karburanteve, markete, veturave etj.

Dy anëtarët tjerë të grupit, policia kishte arritur t’i arrestoj muaj më parë por Ademi kishte arritur të arratiset jashtë shtetit.

Pas arrestimit të Ridvan Ademit në Bruksel, Indeksonline kontaktoi me zëdhënësin e policisë, Daut Hoxha.

Ai tha se pas bashkëpunimit me autoritet e Belgjikës është bërë arrestimi i të dyshuarit.

“Pas një bashkëpunimi profesional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve belge ne Belgjikë është arrestuar një person i dyshuar, ku të njëjtit i janë gjetur ne posedim dokument identifikimi të një shteti tjetër, prandaj në bashkëpunim aktiv me autoritetet atje jemi në proces te verifikimit të të gjitha rrethanave përfshirë edhe ekzaminimet e nevojshëm për përcaktimin e identitetit të saktë konform procedurave ligjore.”

“Pavarësisht përpjekjeve të individëve të dyshuar për t’i ikur drejtësisë, Policia e Kosovës është e përkushtuar që te ndërmerr veprime të vazhdueshme në funksion te zbatimit te ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave te dyshuar te involvuar ne aktivitetet të kundërligjshme kurdo dhe kudo qe ata ndodhen.”, tha Hoxha. /Indeksonline/