14:06 / E Diele, 01 Korrik 2018 / indeksADMonline

Arsyetimi i ShSKUK-së pse Emergjenca mbeti pa staf mjekësor gjatë kujdestarisë (Video)

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) përmes një komunikate ka bërë të ditur se një pjesë e Klinikës Emergjente është në rinovim. Ky është një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ShSKUK-së.

Ky njoftim vjen pas publikimit të lajmit në Indeksonline se mëngjesin e të mërkurës asnjë mantelbardhë nuk është parë gjatë orëve të kujdestarisë në Emergjencë. Një person kishte marrë lëndim të rëndë sa po punonte në ndërtimtari, ku një shufër metali iu kishte ngulur në fytyrë. Mjeku kujdestar, siç ka treguar për Indeksonline vëllai i pacientit, e ka dhënë infuzionin e fundit në orën 03:00 dhe më nuk është dukur andej.

Në videon që është dërguar në redaksinë e Indeksonline, shihen pacientët në korridor dhe në dhomë, por pa staf mjekësor.

 

Kjo ka ngjallur reagimin e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili ka thënë se do të kërkohen përgjegjësit për këtë neglizhencë.

“ Ose do të marrim masa ndaj papërgjegjësisë, ose të gjithë ata të cilët e gjejnë veten në atë mes duhet të largohen vet”, ka thënë ndër të tjera ministry, përcjellë Indeksonline.

Ndryshe, më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të ShSKUK-së, e ku ceket që 160 raste janë pranuar në Emergjencë për 24 orë, por asnjëherë nuk mohohet rasti i së mërkurës.

Lexoni njoftimin:

Emergjenca e QKUK me 160 raste për 24 orë

Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, është i vetëdijshëm lidhur me vështirësitë dhe ngarkesën e madhe me pacientë nëpër të cilat po kalon Klinika Emergjente në QKUK.

Si rezultat i kësaj situate, janë ndërmarrë hapa për renovim, krijim të pritoreve për pacientët, blerja e pasijeve të reja, furnizimin me barna dhe  ofrimin e shërbime më kualitative.

Aktualisht,  Klinika Emergjente e QKUK-së, ka qenë dhe mbetet e mbingarkuar 24 orë me pacientë, pëfshirë raste të aksidenteve në trafik, reanimime,  raste të rënda kirurgjike, ortopedike dhe internistike.

Përkundër mbingarkesës së madhe, ekipet shëndetësore të Klinikës Emergjente, në konsultim edhe me specialistët kujdestar nga degët kirurgjike, internistike dhe ortopedike, kanë ofruar ndihmën mjekësore për të gjithë pacientët.

Një pjesë e Klinikës Emergjente, është në rinovim, investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK,  përderisa për herë të parë nga paslufta janë blerë 300 mijë euro paisje të reja që pritet të futen në punë pas rinovimit, me kërkesë të menaxhmentit të klinikës.

Duhet theksuar se shqetësim për Klinikën Emergjente, paraqet fakti se një numër i madh i pacientëve paraqiten për ndihmë mjekësore direkt në emergjencë, pa konsultuar paraprakisht Qendrat e Mjekësisë Familjare.