18:17 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

As në ditën e pestë nuk gjendet i zhdukuri nga Malisheva

Sot në ditën e pestë nga zhdukja e Muharrem Berishës nga fshati Gurbardh i Komunës së Malishevës, ka vazhduar operacioni i kërkimit, por deri në ora 18:00, nuk është gjetur ende.

Në operacionin e kërkimit, në ditën e sotme, kanë marrë pjesë rreth 140 persona, përfshi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Malishevë, ekipet emergjente nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe vullnetarë.

Sipas Halit Mazrekut, zyrtar në Drejtorinë Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, operacioni i kërkimit do të vazhdoj edhe ditën e nesërme, ndërsa perimetri i kërkimit do të zgjerohet, në pjesën e maleve, por edhe përgjatë lumit Mirusha.

Luten banorët e fshatrave përreth zonës, që të jenë bashkëpunues, si deri më tani dhe çdo informacion eventual ta përcjellin përmes organeve kompetente.