15:12 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / B O

Autoritetet serbe e marrin në pyetje Qëndron Kastratin, ndër të tjera e pyesin edhe për Fatmir Limajn

Të shtunën e 13 gushtit, derisa po udhëtonte nga Prishtina drejt Vjenës, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati është shqetësuar nga autoritetet serbe.

Derisa po kalonte në pikën kufitare të “Dheut të Bardhë” në Kamenicë, nga Kosova në Serbi, ai është intervistuar për rreth dy orë nga dy zyrtarë shtetërorë serbë.

Dëshminë për marrjen në pyetje nga autoritetet serbe, Kastrati e ka dhënë në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Sipas deklaratës së Kastratit në KMDLNj, autoritetet serbe e kanë pyetur Kastratin për lidhjet e tij me figurat politike në Kosovë, e specifikisht për largimin e tij nga Vetëvendosje.

Ata janë interesuar edhe për njohjen e tij me Fatmir Limajn, kryetarin e Nismës Socialdemokrate dhe ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më tutje, në deklaratën e Qëndron Kastratit thuhet se ai është pyetur kryesisht për aktivitetin e tij politik, njohurit me dhe për figurat politike të Gjilanit dhe Kamenicës, nëse personalisht e njeh Fatmir Limajn, arsyet pse ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse mendon që përsëri të kandidojë për kryetar të Kamenicës”, ka përcjell KMDLNJ, dëshminë e Kastratit.

Kastrati ka thënë se nuk është kërcënuar nga autoritetet serbe.

Njoftimi i plotë nga KMDLNJ:

Kohëve të fundit KMDLNj –së i janë drejtuar qytetarë të Kosovës me deklarata se gjatë kalimit në pikat kufitare me Serbinë po merren në pyetje nga autoritetet serbe, pa ndonjë shkas dhe pa ua treguar arsyen e marrjes në pyetje. Sipas deklaratave dhe rasteve që i drejtohen KMDLNj –së, përzgjedhja e atyre që po merren në pyetje është e qëllimshme dhe se po bëhet një presion ndaj tyre që të mos udhëtojnë në Serbi duke ua shkëputur kontaktet familjare dhe të tjera.

Rasti i fundit i marrjes në pyetje është ai i Qëndron Kastratit, anëtar i PSD-së dhe ish – kryetar i Kamenices – Dardanës.

Sipas deklaratës së Qëndron Kastratit, më datë 13 gusht 2022 duke udhëtuar nga Prishtina në Vjenë përmes pikës kufitare me Serbinë, përkatësisht atë te “ Dheut të Bardhë “, në orën 22.00 dhe pas dy orë pritjeje, dy policë të uniformuar serbë e kanë shoqëruar te zyrat e tyre për t’u intervistuar nga një person i tretë.

Autobusi me të cilën udhëtonte i ndaluari Qëndron Kastrati, në pamundësi të presë për faktin se nuk dihej kur do të përfundojë intervistimi, ka vazhduar rrugën për Vjenë. Sipas deklaratës së Qëndron Kastratit, pas një kohe është intervistuar nga dy persona të pauniformuar në gjuhën angleze për faktin se komunikimi në gjuhën serbe nuk ka mundur të bëhet sepse Qëndroni nuk e njeh këtë gjuhë.

Fillimisht i është kërkuar ta ç’kyç telefonin në ndërkohë që Qëndron Kastrati, me një mesazh e kishte informuar KMDLNj –në për ndalesën nga autoritetet serbe.

Më tutje, në deklaratën e Qëndron Kastratit thuhet se ai është pyetur kryesisht për aktivitetin e tij politik, njohurit me dhe për figurat politike të Gjilanit dhe Kamenicës, nëse personalisht e njeh Fatmir Limajn, arsyet pse ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse mendon që përsëri të kandidojë për kryetar të Kamenicës.

Në insistimin e Qëndron Kastartit që t’i bëhet i ditur identiteti i intervistuesve, qëllimi i ndalimit dhe t’i sigurohet një mbrojtje ligjore përmes përfaqësuesit gjatë intervistimit, është liruar për t’u kthyer në Kosovë duke e pajisur me një dokument për hyrje – dalje, në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik të cilin nuk e ka kuptuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës serbe.

Në pyetjet e KMDLNj –së nëse janë kërcënuar, nëse është përdorur forcë apo ndonjë kërcënim tjetër, të intervistuarit e mëparshëm si dhe Qendron Kastarti kanë deklaruar se sjellja ka qenë korrekte dhe se kanë kërkuar informata, kryesisht të natyrës politike për persona të caktuar dhe ngjarje të caktuara