20:47 / E Hënë, 29 Tetor 2018

Autostrada shqiptare që do përmbytet sërish

Autostrada Tiranë-Durrës rrezikon të përmbytet edhe këtë vit. Shkak për këtë situatë është mospastrimi i tombinove, që do të lejonin rrjedhjen e lirshme të ujërave në rast shirash.

Përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar që është autoriteti përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës, thonë për TV SCAN se e kanë të pamundur të ndërhyjnë, pasi në këto hapësira kalojnë tubacione të ujësjellës-kanalizimeve , linja interneti  apo të energjisë elektrike, që ndër të tjera kanë ndihmuar në mbledhjen e inerteve dhe bllokimin e tombinove.

Sipas tyre ndërhyrja do të dëmtonte këto linja, ndaj është e domosdoshme që të gjithë autoritetet përkatës, që i kanë në administrim të marrin masa. Në fakt, situata në terren tregon se pastrimi i tombinove duhet të bëhet sa më parë.

Por, kjo problematikë nuk është e panjohur për ujësjellës-kanalizime Tiranë, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike apo Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Kjo pasi, pas ngjarjes së një viti më parë, ku një segment i autostradës u përmbyt si pasojë e shirave, prefekti i qarkut Tiranë ngriti një grup monitorimi për situatën e tombinove, në përbërje të të cilit kishte përfaqësues nga të gjithë këto institucione.

Ndërkohë që, pas vëzhgimeve në terren u hartuan edhe rekomandimet përkatëse për marrjen e masave, me qëllim parandalimin e situatave të ngjashme.

Ndër të tjera, në dokumentin që televisioni e disponon kërkohet pikërisht zgjidhja përfundimtare për shkarkimin e ujërave të ndotura të bizneseve përgjatë kanaleve anësore të autostradës sepse pengojnë lëvizjen e lirshme të ujërave.

Mos i humb