15:36 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Balje, Nikoliqit: Nuk jeni pronarë të drejtave të komuniteteve në Kosovë

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për persona të Pagjetur dhe Peticione u debatua për kërkesat e Listës Serbe që së paku dy anëtarë nga komuniteti serb të marrin pjesë në Komisionin për ndryshim- plotësimin e ligjit për liri fetare.

Kjo kërkesë nuk është aprovuar nga ky komision dhe për këtë pati debat në mes të kryetares së këtij komisionit Duda Balje dhe zëvendës kryetares së dytë Miljana Nikoliq që është deputete nga Lista Serbe.

Nikoliq shfaqi pakënaqësinë për punën e komisionit si dhe për amendamentet të cilat nuk janë pranuar nga ky komision e që janë në interes të Listës Serbe.

“Këto fakte që i keni ofruar nuk janë në interes të Listës Serbe, nuk janë në interes të Kishës Serbe dhe për këtë nuk i pranojmë. Nga 14 amandamente 7 prej tyre janë të pranuara dhe ato të cilat janë shumë të rëndësishme nuk janë të pranuara, ashtu siç i kemi kërkuar dhe dëshiruar” ka thënë Nikoliq.

Ndërkaq, kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje iu drejtua deputetes të Listës Serbe, Nikoliq, duke i thënë se nuk janë ata pronarë të drejtave të komuniteteve në Kosovë.

Balje po ashtu sqaroi se duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës për të caktuar anëtarët për ndryshim-plotësimin e Ligjit për komunitetet në Kosovë.

“Nuk jam këtu të respektoj vetëm interesin e Listës Serbe. Komunitet nuk janë vetëm serbët në Kosovë, kjo shkon për të gjitha komunitetet. Ju nuk jeni pronarë të drejtave të komuniteteve në Kosovë, këtë duhet ta dini. Jemi dhe ne këtu”, ka thënë Balje.