19:01 / E Hënë, 18 Janar 2021 / Blerim

Basketbollisti i njohur, tregon se çfarë e shtyu të kthehet në Superligë

Basketbollisti Gëzim Morina është rikthyer në Superligën e Kosovës në basketboll.

Pas aventurës së tij në Slloveni, Morina është rikthyer zyrtarisht te skuadra e Yllit.

Në një intervistë për IndeksOnline, Morina tregon arsyen e kthimit në Kosovë.

“Ylli është klubi im i zemrës. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të rikthehem, mirëpo investimet e mëdha të kompanisë Golden Eagle në vitet e fundit, të cilat i kanë sjellë klubit një stabilitet më kanë bindur që të vijë këtu”, është shprehur basketbollisti.

28-vjeçari mendon se skuadra e Yllit ka potencial të madh dhe me pak fat do të arrin suksese.

“Objektivi dhe dëshira ime e madhe është që ne të fitojmë ndonjë trofe. Superligën apo kupën. Mirëpo ka shumë ekipe cilësore dhe deri për ta arritur këtë, ne na pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, vazhdoi 28-vjeçari.

Ish-lojtari i Sigal Prishtinës, ka një mesazh edhe për tifozët e zjarrtë “Xhebrailat”.

“Ata janë një ndër tifozeritë më të flakta në Kosovë dhe më gjerë. Përkrahja e tyre luan një rol të madh te ne. Shpresoj që palestrat të hapen sa më shpejtë dhe ne të mund ta ndjejmë prezencën e tyre. Shpresoj shumë që do të dhuroj më të mirën gjatë sezonit”, përfundoi Morina.

Gjatë karrierës Gëzim Morina ka luajtur për shumë klube, përfshi edhe ekipin e Maribor dhe Helios Suns.

Këtë sezon skuadra e Yllit nuk e ka nisur mirë, pasi në 15 paraqitje ka 6 humbje dhe gjendet në pozitën e 4-të në Superligë./IndeksOnline/