21:58 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Batatina akuzon Sokolin se deshi ta shkatërroi Llapin

Të gjithë donatorët, bashkë me kryetarin e klubit, Nexhat Dumnica, u larguan me t’u shkarkuar trajneri Bylbyl Sokoli, javë më parë. Në klub gjatë verës ishte ofruar edhe babai i futbollistëve Ajeti, Afrimi.

Rast i rrallë ky, kur gati e gjithë kryesia largohet bashkë me trajnerin. Batatina me forca vetanake financiare po mundohet ta mbajë gjallë Llapin, të cilës po i prin që nga java e kaluar, trajneri Bekim Shotani.

“Shkaktari kryesor që Llapit ia largoi donatorët më të mirë dhe më të ndershëm që ju bashkuan Llapit ishte njeri dhe trajneri që në çdo skuadër ku ka shkuar të njëjten gjë e ka bërë, i ka shaktrru klubet, derisa edhe kanë falimentuar por edhe i ka ç’rregulluar në çdo aspekt si në financim ashtu edhe në organizim. Donatorët nuk janë fajtorë, por kanë rënë viktimë e një trajneri si Bylbyl Sokoli, që e njeh një Kosovë për gjëra të tilla”, thotë Batatina në një intervistë për Gazetën Olle.

“Skenarët e tij po përfundojnë besoj me Llapin, sepse më askush nuk ka besim ta fut në skuadër një njeri si ky, ku skuadrën e shkatërron nga të gjitha pikëpamjet. E vështirë ka qenë që të thehet tabori i organizuar nga donatorët e Llapit, por ky ja arriti, por nuk arriti ta shkatërrojë klubin dhe as skuadrën, sepse edhe lojtarët, por edhe unë e vërejta se skenari i tij për Llapin ishte shkatërrimi dhe ikja nga Llapi, por nuk ja arriti atij qëllimi, sepse akterët kryesor ishin lojtarët dhe unë në pozitën e drejtorit egzekutiv-sportiv, ku nuk lejuam që Llapi të shkatrrohet nga një njeri që e gjithë Kosova e njeh për metodat që i përdor në çdo skuadër”, shton ish trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Ai ka gjetur përkrahjen e familjarëve të tij që jetojnë jashtë vendit, falë të cilëve po arrin ta mbajë gjallë klubin. “Nuk është e lehtë të përballohen të gjitha këto shpenzime marramendëse, por duke i falënderuar vëllezërit në Zvicër dhe Gjermani, dhe së bashku ku jam duke biseduar me donatorë të ndershëm t’i ofrojë në skuadër, do t’ia arrijmë qëllimit që Llapi të jetë stabil dhe skuadra në mesin e dy më të mirave në Kosovë”.

Me Sokolin, Llapi ishte bërë kryefjalë në media, herë për largime e kthime të tij, por herë herë edhe për rezultate befasuese. Sidoqoftë loja e mirë e Llapit nuk mungonte.

Sipas Batatinës, “Llapi do të jetë skuadër e organizuar mirë dhe ku do ta gëzojë respektin e gjithë qytetarëve të Llapit dhe presim shumë shpejt që rasti skenar të dal në dritë dhe të zbardhet, ku e përgatiti ish trajneri për t’i mbuluar mos sukseset e veta dhe mos arritjen t’i menaxhoj lojtarët më të mirë në Kosovë, u mundua, por drejtësia shpejt do të dalë, por ku do të mbetet ai dhe si mundet të dalë para studentëve në fakultet nuk mundem ta kuptojë”.

Llapi momentalisht ka 20 pikë, tri më pak se lideri Feronikeli, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Llapi ka skuadër për kreun e tabelës, por iku dhe na la me 7 pikë prapa vendit të parë, por do t’ia dalim me ndihmën e Allahut dhe të atyre që Llapin e duan pa interesë, që të jemi skuadër që do të paraqitemi në garat e Evropës, ku Llapin do ta bëjmë krenar dhe qytetarët e Podujevës, ku në Llap dhe Gollak do të festojmë së bashku”.

Llapi nesër është mysafir i Drenicës, në javën 12 të IPKO Superligës.