16:51 / E Mërkurë, 07 Nëntor 2018 / indeksADMonline

BE-ja e kritikon, por Qeveria s’do ta shfuqizoj vendimin për taksat ndaj Serbisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të djeshme mori vendim që të rris tarifat për 10% për të gjitha mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke përjashtuar ato që janë brende ndërkombëtare.

Ndaj këtij vendimi autoriteteve serbe, reagoi edhe Bashkimi Evropian, duke mos mirëpritur nismën e ekzekutivit të Kosovës, shkruan Indeksonline.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq tha mbrëmë se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-së dhe Kosovës.

“Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, tha Koçijançiq.

Pavarësisht kritikave nga BE-ja, në Qeverinë e Kosovës thonë se ky vendim nuk ka kthim prapa.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë në një prononcim për Indeksonline se ky vendim është marr pas zhvillimeve në vend.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim që vije pas rrethanave politike dhe ekonomike në vend. Qeveria e Republikës së Kosovës ka kompetenca për të marrë vendime të tilla dhe masa të ngjashme, janë praktikë edhe në vende të tjera për të mbrojtur ekonominë e vendit”, ka thënë Gashi.

E pyetur se a ka gjasa që vendimi të shfuqizohet pas deklaratës së Kocijancic, zëdhënësja e Haradinajt ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodh.

“Nuk ka plan për tërheqje të vendimit”, ka përfunduar Gashi.

Vendimi i marr dje, ka hyrë menjëherë në fuqi, pasi zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se sot të gjitha pikat dhe terminalet doganore po e respektojnë urdhrin për taksa.

Për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, dje reagoi Marko Gjuriq, i cili paralajmëroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërpritet, në shenjë pakënaqësie. /Indeksonline/

 

Temat: