10:12 / E Martë, 21 Gusht 2018 / indeksADMonline

Bekim Jashari: Debati për ditëlindjen e Adem Jasharit është i porositur

Nipi i komandantit të UÇK-së, ka folur rreth dilemave për ditëlindjen e Adem Jasharit. Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari në një intervistë për KosovaPress ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj institucioneve shtetërore për të cilat tha se nuk reaguan rreth këtij debati.

Ndërsa deklarimin e analistit Nexhmedin Spahiu e quan absurd dhe të porositur.
Ai thotë se një debat i tillë u bë për të zhvendosur vëmendjen nga tema e listave të veteranëve të UÇK-së.
28 Nëntori në Kosovë nuk shënon vetëm festën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ditëlindjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

Çdo 28 nëntor, nën atmosferën e flamujve kuq e zi dhe këngëve patriotike kushtuar rezistencës së familjes Jashari të bërë në luftën kundër okupatorit serb, festohet ditëlindja e Adem Jasharit.Në Kosovë, kjo datë e lindjes ishte temë debati javën që shkoi. U shtrua pyetja se a lindi Adem Jashari më 28 nëntor apo më 10 tetor të vitit 1955.

Analisti Nexhmedin Spahiu ishte ai që pyeti se “kush është ai që i falsifikoi ditëlindjen Adem Jasharit nga 10.10.1955 në 28.11.1955”.Për këtë temë KosovaPress ka pyetur Bekim Jasharin, nipin e komandantit Adem Jashari, i cili edhe udhëheq me komunën e Skenderajt.

Sipas Jasharit, ngritja e një temë të tillë ngjallë dyshime dhe e njëjta mund të jetë bërë për të zhvendosur vëmendjen nga tema me veteranët e UÇK-së.Krejt këtë situatë të krijuar në këto ditë të fundit rreth debatit të ditëlindjes së Adem Jasharit, kryetari i Skenderajt e quan absurde. Tutje, ai shpreh zhgënjimin e tij me institucionet e shtetit, që siç thotë Jashari, nuk ngritën zërin për të mbrojtur këtë temë.

Debatin për ditëlindjen e komandantit të UÇK-së për datën e lindjes së tij, Bekim Jashari po e konsideron ofendues.

Pas shkrimit të analistit Nexhmedin Spahiu, i cili thotë se ditëlindja e Adem Jasharit ishte falsifikuar, Bekim Jashari publikoi certifikatën e vdekjes së komandantit, ku shihet data 28 nëntor 1955.
Gjithashtu, dokumentet identifikuese të Republikës Federale të Jugosllavisë fillonin me ditën, muajin dhe tre numrat e fundit të vitit të lindjes. Kështu, numri personal i Adem Jasharit, sipas të dhënave që janë në dispozicion edhe publikisht, ishte 2811955924008.Në dokumentet e publikuara të Bekim Jasharit po ashtu është bërë publike se Adem Jashari, fillimisht e kishte emrin Fazli.

Temat: