Berisha paralajmëron fushatë për përfshirjen e pjesëtarëve të komunitetit serb në FSK
Është mbajtur ceremonia e hapjes së punimeve të seancës së parë të Konferencës së 9-të, ‘FSK dhe Partnerët’.
Përgjatë zhvillimit të kësaj konference, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha ka thënë se do të fillojë një fushatë për të përfshirë pjesëtarët e komunitetit serb në FSK, pas largimi të fundit të këtij komuniteti.
Ministri Berisha ka shtuar poashtu se janë duke i kushtuar rëndësi pjesëmarrjes së këtij komuniteti në FSK, pasi sipas tij janë detyruar që të japin dorëheqje, transmeton Indeksonline.
“Kemi avancim edhe në përfshirjen e gjinisë femërore. Rëndësi i kemi kushtuar komuniteteve në FSK. Jemi ballafaquar me kërkesa të shumta nga komuniteti serb për largimin nga FSK-ja. Ata janë detyruar që të largohen nga FSK-ja. Ne kemi ndërmarr të gjitha masat për zbutjen e kërkesave të tyre. Shumë shpejt do të fillojmë fushatën për të kyçur këtë komunitet në FSK. Tani jemi në fazën e fillimi të procesit të tranzicionit. Jemi zotuar për tu bërë ofrues rajonal i sigurisë dhe jo konsumues i saj. FSK-ja ka zhvilluar partneritet të fuqishëm me NATO-n dhe KFOR-in”, ka thënë Berisha.
Berisha ndër të tjerash ka deklaruar se FSK-ja edhe më tutje vazhdon të vlerësohet si institucioni më i besueshëm në vend.
“Prania e partnerëve tonë në këtë konferencë e bën FSK-në që të krenohet për punën e përbashkët në paqe e siguri e më gjerë”, ka përfunduar Berisha.
Ndryshe të pranishëm në këtë konferencë përpos Berishës ishin edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, komandantë dhe përfaqësues të tjerë të vendit dhe të huaj./Indeksonline/