09:38 / E Shtunë, 11 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Besa sfidohet nga Vushtrria

Në fundjavë luhen ndeshjet e xhiros së 16 në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).

Edhe kjo xhiro ofron ndeshje të mira dhe me rëndësi për renditjen në tabelë. Të shtunën janë tri ndeshje, ndërsa të dielën një. Të shtunën fokusi do të jetë në dy ndeshjet që zhvillohen prej orës 19:00.

Në Pejë, kampionia dhe liderja e klasifikimit, Besa Famgas, do të sfidohet nga Vushtrria. Vushtrria këtë edicion është kthyer në elitë, por ka pretendime të mëdha dhe do të synojë befasinë e madhe në Pejë. Besa natyrisht synon të vazhdojë me fitore. Besa udhëheq në tabelë me 25 pikë.

Vushtrria është e gjashta me 14 pikë. Prej orës 19:00 është edhe përballja e rivalëve të moçëm, Kastriotit dhe Prishtinës. Pasi mori pikë në Rahovec, skuadra ferizajase synon fitoren ndaj Prishtinës. Ndërkohë prishtinasit udhëtojnë për dy pikë të reja dhe për ta vazhduar ecurinë pozitive. Prishtina në xhiron e 15 e mposhti Trepçën. Të shtunën prej orës 17:00 është ndeshja Deçani – Llapi.