12:45 / E Shtunë, 11 Gusht 2018 / indeksADMonline

Besnik Tahiri analizon krijimin e Asociacionit, përmend tri pika kryesore

Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri e ka komentuar krijimin e mundshëm të Asociacionit. Në një analizë të tij, Tahiri përmend tre pika kryesore rreth fuqisë së krijimit të këtij institucioni.

Tahiri rekomandon qeverinë që të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

“Shumë është fol këto ditë rreth Asociacionit, themelimit dhe fuqisë së këtij institucioni! Rreth kësaj teme po i them tri fjali që në shumë debate e shkrime i kam theksuar gjatë ketyre viteve:

E para, në Kosovë, të gjitha institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, Statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit.

E dyta, askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë apo fushave tjera vitale. Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka ta paraqet Kosovën keq para faktorit ndërkombëtar e pse jo edhe ta shtyej themelimin e këtij Asociacioni me synim që të nxit ndonjë projekt tjetër politik!!!!

E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet e komunave, definitivisht Serbia nuk ka as shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore.

Krejt në fund, logjika e Asociacionit nuk është streh nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim” shkruan Tahiri në Facebook./Indeksonline/

Temat: