14:03 / E Shtunë, 12 Janar 2019 / indeksADMonline

Besnik Tahiri “diss” Isa Mustafës: Haradinaj, i vetmi kryeministër që ballafaqohet dhe bën zgjidhje

Këshilltari i Ramush Haradinajt, Besnik Tahiri i është kunërpërgjigjur akuzave të Isa Mustafës për numrin e këshilltarëve në Qeveri.

Koordinatori nacional për reforma shtetëtore e ka quajtur Haradinajn si të vetmin kryeministër që direkt është ballafaquar me problemin dhe ka bërë zgjidhje.

“Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, është e vërtet që ka më shumë këshilltarë e zëvendësministra, por ka dyfishin e punëve dhe detyrave. Ato që qeveritë paraprake nuk kishin as vullnetin e guximin për t’u ballafaquar përkundër që i kishin më shumë se 80 deputetë, u dasht me i bë ne, me vendimet që kthejnë dinjitetin e shtetit dhe hapin perspektivë për vendin.

Po, kjo qeveri ka edhe sfida, greva e ballafaqime, kjo sepse ne kemi marrë çështjet një për një për t’u dhënë zgjidhje. Për dallim nga qeveritë paraprake që konservonin problemet, me frikën e rrëzimit. Nuk ka rast, as vendim që kryeministri Haradinaj ka heshtur për shkak frikës nga debatet dhe diskursi publik. Ai është ballafaquar, ka sqaruar dhe ka prodhuar zgjidhje.

Lidershipi i guximshëm nuk e bazon vendimmarrjen në diskursin që mund të krijohet, ai është aty për të siguruar që vendimet janë interes i vendit dhe jo të politikës ditore. Kjo qeveri, jo vetëm se po forcon shtetësinë, por është në hapat final për të vendosur në korniza funksionimin institucional” shkruan Tahiri në Facebook./Indeksonline/