09:34 / E Shtunë, 07 Gusht 2021 / B O

Biden nënshkruan dekretin që 50 për qind e automjeteve të shitura deri më 2030 të jenë elektrike

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një dekret sipas të cilit 50 për qind e makinave të pasagjerëve dhe kamionëve të lehtë që do të shiten në vend deri në vitin 2030 do të jenë me emetime zero.

Biden, në fjalimin e tij para nënshkrimit, tha se Shtetet e Bashkuara janë në konkurrencë me Kinën dhe shumë vende të tjera.

Duke deklaruar se e ardhmja e industrisë së automobilave është elektrike, Biden tha se Kina tashmë po udhëheq garën si një nga tregjet e automjeteve elektrike me rritjen më të shpejtë në botë, shkruan IndeksOnline.

Presidenti amerikan deklaroi se pjesa më e rëndësishme e automjeteve elektrike janë bateritë, dhe se 80 për qind e kapacitetit të prodhimit të baterive gjendet në Kinë.

“Nuk ka asnjë arsye që ne të mos marrim përsëri kryesimin dhe të jemi përsëri liderë”, tha Biden, duke theksuar që automjetet elektrike dhe bateritë duhet të prodhohen edhe në SHBA.

Biden po ashtu paralajmëroi një proces për ndryshimin e standardeve të emetimit dhe efikasitetit të vendosura më parë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Biden deklaroi se deri në vitin 2030, 50 për qind e të gjitha automjeteve që do të shiten në Shtetet e Bashkuara synohen të jenë elektrike.

“Kjo është e rëndësishme, por ne duhet të vazhdojmë të investojmë në njerëzit tanë dhe kapacitetin prodhues për të zhbllokuar gjithë potencialin”, tha presidenti amerikan Biden.

Pas firmosjes së dekretit, Biden bëri një shëtitje me automjetin elektrik Jeep Wrangler në Shtëpinë e Bardhë.