20:57 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Bie numri i aksidenteve në trafik

Gjatë muajit janar të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur gjithsej 1 mijë e 278 aksidente trafiku, nga të cilat jetën kanë humbur shtatë persona.
Në të njëjtën periudhë kohore gjatë vitit 2017 kishin ndodhur 1 mijë e 492 aksidente, ku kanë mbetur të vdekur tre persona.

“Sa i përket numrit të aksidenteve me lëndime, gjatë janarit të këtij viti janë shkaktuar 487 aksidente dhe 972 persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa në janarin e vitit 2017 kanë ndodhur 385 aksidente me lëndime me gjithsej 831 persona të lënduar”, kanë thënë për Indeksonline zyrtarët për informim në Polici.

Edhe numri i aksidenteve më dëme këtë vit ka qenë dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë këtij viti për një muaj janë shënuar 785 aksidente me dëme materiale, ndërsa në janar të vitit të kaluar janë shënuar 1 mijë e 104 aksidente të tilla”, kanë thënë në polici.

Ndonëse numri i aksidenteve është zvogëluar, numri i gjobave të shqiptuara në trafik është rritur dukshëm. Gjatë janarit të vitit të kaluar janë shqiptuar 22 mijë e 39 tiketa, ndërsa në të njëjtën periudhë këtë vit janë shqiptuar 30 mijë 397 gjoba kundërvajtëse.

Nga janari i këtij viti ka hyrë në fuqi ligji i ri për kundërvajtje i cili parasheh gjoba më të larta në krahasim më të kaluarën./Indeksonline/