13:24 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Bild: Bayern ofron 100 milionë euro për Dybala

Bayerni i Mynihut i shtohet listës së klubeve të mëdha në Europë që interesohen për Paulo Dybalan. Sipas “Bild”, ekipi bavarez e sheh sulmuesin argjentinas si pasuesin ideal të Robert Lewandowskit, që duket i destinuar për t’u larguar nga Bavaria gjatë merkatos së verës.

Për t’ia rrëmbyer argjentinasin Juventusit, Bayerni është gati të shpenzojë 100 milionë euro. Gjatë javëve të fundit është përfolur se për Dybalan është interesuar Atletico e Madridit, me trajnerin Simeone që mësohet se ka darkuar me 24-vjeçarin në një restorant të kryeqytetit spanjoll, pa harruar faktin se edhe Barcelona dhe Reali i Madridit kanë provuar ta bëjnë të tyrin sulmuesin gjatë verës së kaluar.

Drejtuesit e Juventusit duhet ta mendojnë mirë këtë ofertë, që me shifrat stratosferike të shpenzuara vitet e fundit në merkato duket e ulët. Por, nga ana tjetër, Dybala ka patur ulje-ngritjet e tij përgjatë sezonit, madje edhe marrëdhëniet me Allegrin nuk kanë qenë ndër më të mirat. Trajneri livornez që në shumë raste e ka lënë stol, duke e konsideruar zgjedhje të dytë për sulmin. Juventusi pritet të bëjë ndryshime të mëdha në organikë, pasi dihet që Gigi Buffon pritet t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur, ndërsa Alex Sandro është me valixhe në duar. Edhe Mandzukic me shumë mundësi po jeton ditët e fundit në Torino, pasi drejtuesit po mendojnë për rifreskimin e skuadrës me lojtarë të rinj dhe tepër cilësorë. Për këtë arsye edhe ofertat për Dybalan mund të merren në konsideratë, pikërisht në funksion të riorganizimit të kampionëve të Italisë për sezonin e ardhshëm.

Temat: