23:54 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018 / indeksADMonline

Bottas ende me “dy mendje” për veprimin në Rusi

Valtteri Bottas ka humbur mundësinë për të korrur suksesin e parë sezonal pak ditë më parë, në garën e Rusisë, ku për shkak të urdhrave nga drejtuesit e Mercedes u detyrua të hapë krahun dhe të lërë shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton të fitojë.

Për pilotin finlandez nuk ka qenë aspak e lehtë të kryente këtë veprim, por iu bind urdhrit dhe më pas kreu detyrën e “engjëllit mbrojtës” të Hamilton nga sulmet e Sebastian Vettel me Ferrari.

“Ka qenë një javë e vështirë, pasi kam menduar shpesh për atë veprim, duke hequr dorë nga fitorja për të mirën e skuadrës. Të paktën ngushëllohem me faktin se korrëm një fitore të dyfishtë, që na afron edhe më shumë me të dy titujt kampionë. Jemi në rrugën e duhur edhe pse gjithnjë është e vështirë të parashikosh se si do të shkojë gara, siç dhe ndodhi në Rusi. Shpresoj që situata për mua të jetë më e mirë në Japoni”, u shpreh Valtteri Bottas.