12:26 / E Enjte, 14 Nëntor 2019 / indeksADMonline

BQK: TEB-i nuk është blerë nga biznesmenët rusë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mohuar informatat e publikuara në rrjetet sociale në lidhje me shitblerjen e bankës TEB sh.a nga biznesmenët rusë.

BQK-ja thotë se nuk ka pasur asnjëherë kërkesë për ndërrim të pronësisë së kapitalit aksionar të kësaj banke, e cila që nga fillimi është nën pronësi të BNP Paribas Fortis Yatırımlar Holding A.Ş. dhe Çolakoğlu Group Joint Venture.

“Banka TEB së bashku me bankat e tjera që janë të licencuara, kanë luajtur dhe po luajnë rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë, i cili ka kontribuar në rritjen ekonomike të vendit dhe nxitjen e investimeve të jashtme, veçanërisht në sektorin financiar. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës siguron të gjithë qytetarët se i gjithë sektori financiar është i sigurt dhe nuk ka vend për shqetësim. BQK-ja si mbikëqyrës i sistemit financiar do të vazhdojë të punojë në mbajtjen e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë dhe do të përmirësojë vazhdimisht mjedisin ekonomik, në të cilin industria financiare operon”, thuhet në komunikatën e BQK-së.