12:11 / E Premte, 21 Shtator 2018

Bytyqi vë gurthemelin e shkollës në Tërrnjë të Suharekës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kanë vënë gurthemelin e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, në Tërrnje të Suharekës.

Me këtë rast, Bytyqi uroi të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e asaj ane për fillimin e ndërtimit të shkollës së re, për të cilën tha se do të ofrojë kushte më të mira për arsim cilësor.

“Nëse flasim për zhvillim të vendit tonë, është kot të flasim nëse nuk kemi arsim cilësor dhe kjo është e vetmja mënyrë që të kemi një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Bytyqi.

Ministri theksoi gatishmërinë e MAShT për ta përkrahur Komunën e Suharekës dhe shkollën, e cila po fillon të ndërtohet, ndërsa tha se përveç krijimit të kushteve më të mira, me angazhimin e të gjithëve, sidomos të mësimdhënësve, do të mund të arrihet të ngritët cilësia në arsim.

“Nuk ka dyshim që mësimdhënësit po japin kontribut të madh, por kemi nevojë akoma më shumë në mënyrë që fëmijët tanë të kenë shkathtësi dhe kompetenca të duhura dhe të jenë të barabartë me të gjithë fëmijët kudo në Evropë”, tha Ministri.

Objekti i ri shkollor është paraparë të fillojë të shfrytëzohet nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” në fillim të vitit të ri shkollor.