11:25 / E Diele, 22 Shtator 2019 / indeksADMonline

Calja i sjell medalje Shqipërisë në Kampionatin Botëror

Po zhvillohet në Tajlandë Botërori i Peshëngritjes, ndërsa për kuqezinjtë i pari që është ngjitur në pedanë ka qenë Briken Calja.

Peshëngritësi shqiptar ka realizuar me sukses dy provat e para prej 151 dhe 156 kilogramë, çka i siguruan vendin e tretë në këtë disiplinë, pas bullgarit Andrev me 157 kg dhe kinezit Zhijong me 166 kilogramë.

Duhet theksuar, se Calja hoqi dorë me vullnetin e tij nga prova e tretë, mesa duket për t’u përqëndruar në disiplinën e shtytjes, ku ka realizuar me sukses provën e parë prej 181 kg, por ka dështuar në tentativën e dytë dhe të tretë me 190 kilogramë, duke e mbyllur garën në dygarësh me 337 kilogramë, pasi në disiplinën e dytë u rendit vetëm në vendin e 13-të, shumë larg pritshmërive, duke humbur mundësinë për medalje në dygarësh.

Kampion bote në dygarësh me 363 kilogramë u shpall kinezi Zhijong, që siguroi arin në shkëputje me 166 kilogramë dhe në shtytje me 197 kg.

Në pedanë për Shqipërinë në këtë Botëror do të garojnë edhe Daniel Godelli e Erkland Qerimaj (të dy në peshën 81 kilogramë) si dhe Krenar Shoraj në peshën 89 kilogramë./Indeksonline/